“Malazezët kanë dashur ta fusin xhubletën në UNESCO”
December 1, 2022Mickli Haxhiislami, shqiptari në Japoni që po promovon traditën shqiptare, ka treguar se si Mali i Zi kishte tentuar ta fuste xhubletën shqiptare në UNESCO, duke e paraqitur si të veten.
Haxhiislami ka thënë se kishte dëgjuar nga miq të tij në Mal të Zi se po tentohet që të përvetësohet xhubleta e të futet në UNESCO. Ai ka thënë se ngjashëm kishte bërë Serbia me lahutën dhe me sukses. Porse, xhubleta u arrit të shpëtohej.
“Pse unë fillova me lobu e u interesu për xhubletën është se në vitin 2017 mora vesh nga disa miq në Serbi se ata kanë aplikuar për lahutën. Lahuta jonë, lahuta e Gjergj Fishtës e Malësisë, dhe kanë pasur sukses. UNESCO në vitin 2018 e ka aprovuar kërkesën e Serbisë, e ka futur me emrin e tyre gusle, por është lahuta jonë, është humbje e madhe. Për një kohë, pasi ndodh kjo, marr vesh nga disa miq në Mal të Zi se po bëhet tentimi për të futur xhubletën në UNESCO. Me të vërtetë, ishte trishtim i madh. Dua të them, xhubletën arritëm ta shpëtonim. Këto kërcime e gjëra tjera, e kanë shumë më të vështira t’i vjedhin. Por, xhubleta ishte në rrezik. Jam jashtëzakonisht i lumtur që e shpëtuam”, ka thënë Haxhiislami në emisionin “SOT” në KTV.
Xhubleta më 29 nëntor është futur në UNESCO.
Haxhiislami ka thënë se së shpejti të bëhet e njëjta gjë edhe me plisin.
“Një gjë që nuk është në favor tonin, është se Kosova nuk është në UNESCO. Po të ishte Kosova pjesë e UNESCO-s, do të mund të bëhej më tepër, sidomos sa i përket plisit. Plisi është diçka mrekulli e Zotit, vetëm na e kemi trashëguar dhe ruajtur për mijëra vjet. Është dhimbje kur e sheh kjo traditë që po shuhet. Shpresoj që në momentin kur plisi të futet në UNESCO e të vinë benefitet financiare, të rinjtë të punojnë në këtë. Shpresoj Kosova të bëhet sa më shpejt pjesë e UNESCO-s”, tha Haxhiislami. /KOHA