‘Foshnja’ e albumit ‘Nevermind’ padit grupin “Nirvana” për pornografi të fëmijëve
August 26, 2021Spencer Elden, imazhi i të cilit u përdor për kopertinën e albumit “Nevermind” (1991) të bendit legjendar, “Nirvana”, pretendon se grupi ka shkelur shkelte statutet federale për pornografi të fëmijëve, gjë për të cilën ka ngritur padi ndaj anëtarëve të mbijetuar dhe pronës së frontmenit të ndjerë, Kurt Cobain – raporton Pitchfork.
Të paditurit e tjerë të listuar në padi, përfshijnë fotografin Kirk Weddle dhe kompanitë prodhuese që publikuan albumin: DGC Records, Warner Records, MCA Records dhe Universal Music Group.
Elden ka ngritur padi për “eksploatim seksual komercial të fëmijëve”, duke pretenduar se kishte përjetuar dëme të përjetshme, pra stres emocional të përhershëm, humbje të të ardhurave dhe dëmtime psikologjike, pasi albumi u bë “një nga më të njohurit e të gjitha kohërave”.
“Identiteti i vërtetë dhe emri ligjor i Spencer janë të lidhura përgjithmonë me shfrytëzimin seksual komercial që ai përjetoi si i mitur, i cili është shpërndarë dhe shitur në të gjithë botën që nga koha kur ishte foshnjë e deri më sot”, thuhet në padi.
Elden dhe prindërit e tij kurrë nuk nënshkruan një deklaratë që miratonte përdorimin e imazhit ose karakterit të tij, dhe sipas padisë, ai kurrë nuk mori asnjë kompensim për përdorimin e fotografisë.
Pavarësisht rikrijimit të fotografisë së famshme disa herë, Elden tha në një intervistë me GQ Australia në vitin 2016 se ndjenjat e tij për kopertinën e albumit ndryshuan dhe kjo është përfshirë si hyrje në padinë që ai ka ngritur.
Theksojmë që Spencer Elden kishte vetëm pesë muaj kur prindërit e tij vendosën që ai të fotografohej për kopertinën e “Nevermind”.
Babai i tij ishte asistent në xhirime, prandaj e njihte fotografin, i cili kishte ardhur me idenë që të fotografonte një foshnje duke notuar për albumin e ri të rokerëve.
Ai i kishte bërë disa fotografi, ndërsa shtëpia diskografike zgjodhi pikërisht atë ku ndodhej Elden. Më pas i montuan fotos edhe një dollar, ku dukej sikur foshnja po përpiqej ta rrëmbejë. Prindërit e tij asokohe përfituan 200 dollarë.
Albumi “Nevermind” arriti sukses të jashtëzakonshëm, ndërsa kjo fotografi u rendit pranë disa prej albumeve më të njohura në histori, krahas “Dark Side of the Moon” të “Pink Floyd” e “Abbey Road” të “The Beatles”.
revista.one/