MTV VMAs 2021, Dua Lipa dhe Rita Ora shkëlqejnë në natën e çmimeve

MTV VMAs 2021, Dua Lipa dhe Rita Ora shkëlqejnë në natën e çmimeve

September 13, 2021 0

Mbrëmë (e shtunë) në New York u mbajt ndarja e çmimeve të MTV Video Music Awards 2021.

Shfaqja, me prezantuese yllin Doja Cat, u transmetua në MTV e po ashtu edhe në: CMT, Comedy Central, Logo, MTV2, Nickelodeon, Paramount Network, Pop, TV Land, VH1 dhe The CW Network.

Sivjet, nga artistet shqiptare me famë botërore e nominuar ka qenë vetëm këngëtarja e popullarizuar, Dua Lipa.

Bukuroshja me prejardhje nga Peja ishte e nominuar në kategoritë si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Bashkëpunimi më i mirë”, “Kënga më e mirë latine” dhe “Regjia më e mirë”.

Me gjithë sukseset e vazhdueshme dhe çmimet e shumta, 25-vjeçarja këtë vit nuk arriti të shpërblehet me ndonjë çmim.

Për “Këngën më të mirë të vitit” është nderuar artistja e re, Olivia Rodrigo, në kategorinë “Bashkëpunimi më i mirë” fitoi “Kiss me more”, Doja Cat dhe SZA.

Justin Bieber ndërkohë i cili kishte më shumë nominime arriti të shpërblehet si “Artisti më i mirë i vitit” dhe “Pop-i më i mirë”.

Krahas Duas, e pranishme në eveniment ka qenë edhe ylli tjetër, Rita Ora, e cila mori vëmendje me dukjen dhe stilin unik.

E përzgjedhur si “Ikona e Stilit”, biondja nuk ka zhgënjyer as këtë herë me dukjen e paraqitjen atraktive.

Ajo ka shkëlqyer në tapetin e kuq me një fustan të zi të gjatë, e me një palë pantallona të shkurtra.

Pamjen e kompletoi me një palë çizme të gjatë mbi gjunjë, e me një stilim interesant flokësh.

Aksesorët dhe protezat në dhëmbë prej ari me inicialet e këngëtares e bënë të duket edhe më unike.

“VMAS. Kam kaluar kohën më të mirë duke prezantuar mikun tim, Ed Sheeran”, ka shkruar Ora.

revista.one/