Kujtuan se u dogj brenda makinës në Pukë, italiani zbulohet në një ishull, ja çfarë e tradhtoi

Kujtuan se u dogj brenda makinës në Pukë, italiani zbulohet në një ishull, ja çfarë e tradhtoi

September 19, 2021 0

Të dielën e kaluar, për herë të parë pas 8 muajsh, nga llogaria bankare e sipërmarrësit italian, Davide Pecorelli, u tërhoq një shumë parash. Fakti që dikush tërhoqi para nga një bankomat në Romë me kartën bankare të Pecorellit, shtoi dyshimet e hetuesve italianë se ai ishte gjallë dhe nuk ishte zhdukur në Shqipëri 8 muaj më parë.

Por pavarësisht dyshimeve, autoritetet nuk kishin rënë në gjurmët e tij, deri të shtunën e 18 shtatorit, kur një incident me varkë ka zbardhur misterin e zhdukjes së sipërmarrësit Italian.

Një person ka njoftuar policinë se i kishte ardhur në ndihmë Davide Pecorellit, pasi motori i varkës së tij ishte djegur në ishullin e Montecristos. Ai e ka njohur biznesmenin, pavarësisht ndryshimeve që kishte bërë në pamjen e tij të jashtme. Siç duket, fotoja e publikuar për muaj me radhë në të gjitha mediat, kishte shërbyer për diçka.

Pas kësaj, prokurorët mbërritën në ishull, ku zbuluan se bëhej fjalë për biznesmenin italian që u zhduk në Pukë, ku makina e tij u gjet e shkrumbuar nga flakët. Davide Pecorelli ishte pajisur me dokumente false dhe duket se ka inskenuar zhdukjen e tij, për arsye që pritet t’ua rrëfejë hetuesve.

Gjithsesi, sipas autoriteteve italiane, Davide Pecorelli është një njeri i lirë, pasi ndaj tij nuk rëndon asnjë akuzë, përveç mbajtjes së dokumenteve false. Edhe në rast se e ka djegur ai makinën në Pukë, ky është një krim që ka ndodhur në Shqipëri.

Teksa të gjithë presin të zbulojnë arsyet që e shtynë për të inskenuar zhdukjen e tij, Davide Pecorelli u ka thënë gazetarëve vetëm një fjali: “Duhet të kthehem te fëmijët e mi”.

revista.one/