Serbët sulmojnë me granata qendrën e regjistrimit të automjeteve në veri

Serbët sulmojnë me granata qendrën e regjistrimit të automjeteve në veri

September 25, 2021 0

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për sulmin e serbëve në Zveçan dhe në Zubin Potok, ku është djegur Qendra për Regjistrim të Automjeteve.

Në një deklaratë për mediet Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku në Zveçan është konstatuar një xham i thyer i objektit, ku ndodhet Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, si dhe dy granata dore, të cilat fatmirësisht nuk kanë shpërthyer.

Ekipi i Forcave Speciale asgjesuan dy granata dore në Zveçan, ndërsa janë duke vijuar hetimet për ngjarjen e mësipërme.

Njoftimi i policisë së Kosovës:

Me datë, 25.09.2021, rreth orës 08:45, u pranua informata se në ndërtesën “INTEL” në

Zveçan, ku ndodhet Qendra e Regjistrimit është thyer dera.

Në vend ngjarje ka dal njësiti patrullues nga (SP) Zveçan, njësitë relevante si dhe njësiti hetimor i forenzikës, ku konstatuan se në objektin e përmendur është thyer një xham i vitrinës, ku brenda objektit është vërejtur një mjet i pa eksploduar granatë dore, e zezë, e llojit të panjohur.

Ekipi i EOD-së u informua, i cili doli në vendin e ngjarjes në 09:55, dhe pas kontrollimit të objektit, u gjetën dy mjete shpërthyese, të cilat ekipi i EOD-së i asgjësoi në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili cilësoi rastet si vepra penale “Posedim, kontrollim i pa autorizuar i armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm“

Lidhur me rastin hetimet janë duke vazhduar.

Reagimi i kryeministrit Kurti

“Djegia e qendrës për regjistrimin e veturave në ora 01:00 pas mesnatës nuk ka qenë zjarr aksidental, por e qëllimshme. Edhe në qendrën e regjistrimit në Zveçan nga dritarja janë hedhur dy bomba dore, që fatmirësisht nuk eksploduar. Hetimet policore do të zbardhin rastet. Sulmet vijnë pas deklaratave nxitëse në Beograd për bllokimin e rrugëve që shpien në Jarinë e Bërnjak. Serbia po dëshiron të destabilizojë situatën, po sjell deri në pikën kufitare helikopterë e avionë të prodhimit rusë. Serbia po provokon konflikt, i cili mund të marrë përmasa rajonale”.

“Ftesës së Brukselit ne i jemi përgjigjur pozitivisht. Serbia ka refuzuar, pengesat e veprimet kriminale të Serbisë janë të tilla, sepse krimi, frika, kaosi ka qenë e vetmja formë për mbijetesë për ta për 2 dekada. Vendimi është masë e barabartë, që Serbia”, deklaroi Kurti, raporton Telegrafi.

Kurti ftoi qytetarët në veri të mos dirigjohen nga ata që përfitojnë nga tensionet.

“Ftojmë qytetarët në veri, të mos frikësohen nga veprimet kriminale dhe të mos dirigjohen nga ata që përfitojnë nga tensionet. Paramendoni se çfarë do të ndodhte aty në pikat kufitare, sikur të mos ishin policët tanë”, tha Kurti.

Kryeministri falënderoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës për profesionalizimin e treguar gjatë kësaj kohe. 

revista.one