Përgjysmuan flotën e autobusëve, Shoqata e Urbanëve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve…
October 21, 2021Për të katërtën ditë me radhë operatorët e transportit publik vazhdojnë të operojnë në kryeqytet me flotë të përgjysmuar, duke shkaktuar kaos, dyndje të pasagjerëve dhe vrap për të kapur urbanin e radhës.
Për këtë, kreu i Shoqatës së Transportit Interurban, Dashnon Memaj thotë se Unioni ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për situatën kaotike të krijuar nga përgjysmimi i linjave urbane në kryeqytet.
Ai thotë se operatoët e kanë të pamundur tu ofrojnë qytetarëve shërbim të plotë nëse nuk marrin një përgjigje pozitive nga pushteti lokal dhe qendror.
“Kemi kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, sepse nuk jemi në gjendje tu ofrojmë shërbimin, nëse nuk marrim një përgjigje pozitive. Duam të mbijetojmë në treg. Përgjysmimi i flotës erdhi sepse kemi mungesë të stafit, sidomos shoferëve dhe shkak të mungesës financiare të mirëmbajmë linjën. Trafiku i rënduar ka një kosto të jashtëzakonshme për ne”, tha Memaj për emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora me moderatorët, Arjola Shehu dhe Arjon Muça.
Operatorët e transportit publik kërkojnë ulje të TVSH-së dhe heqjen e taksës së qarkullimit.
“Ne kemi kërkuar zbritjen e pragut të TVSH nga 20% në 6% dhe heqjen e taksës së qarkullimit”, tha Memaj.
Vendimi i Unionit të Transportit Publik erdhi si shkak i mos-marrjes së masave nga ana e qeverisë për të kompensuar humbjet që sektori i transportit publik kishte pësuar gjatë pandemisë.
Unioni i Transportit Publik kërkon subvencionimin e të ardhurave të munguara për subjektet e transportit si pasojë e kufizimeve të protokollit të sigurisë, heqjen e akcizës dhe taksave të karburantit si dhe indeksimin e tarifës së udhëtimit duke përcaktuar dhe një kosto bazuar në situatën aktuale, fitimet dhe humbjet e shoqërive të transportit.
revista.one/