Policia i pret fletëthirrjen Ben Qimes, i shkon 3 herë në shtëpi dhe nuk e gjen: Eja dëshmo për ekzekutimin e Demir Backës!
October 26, 2021Arben Isufaj, biznesmeni fierak i njihur dhe si Ben Qimja, është tashmë një nga personat që zyrtarisht duhet të pyetet dhe të japë deklarimet e tij në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit Demir (Dem) Backa, tre ditë më parë.
Mësohet se Policia e Fierit ka shkuar tre herë në shtëpinë e tij, në zonën e njohur si “15 katëshi”, por nuk e kanë gjetur Ben Qimen. Në zonën ku jeton ky i fundit ka shkuar dhe vetë zv.drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit bashkë me një grup të “Shqiponjave”, por kanë dalë “duarbosh”.
Në të treja rastet biznesmeni Ben Qimja nuk është gjetur në shtëpi dhe Policia e Fierit ka prerë zyrtarisht fletë-thirrjen për të, duke i kërkuar të japë dëshmi se ku ka qenë mbrëmjen e 23 tetorit, kur në mes të qytetit të Fierit u ekzekutua me breshëri plumbash biznesmeni Dem Backa.
Familjarët e Ben Qimes janë shprehur se ai ishte me punë në kryeqytet dhe nuk ndodhej në shtëpi. Deri në këtë fazë ku ndodhen hetimet, një ndër autorët e dyshuar është dhe Ben Qimja, për shkak të një konflikti të hapur që ka pasur me Dem Backën.
Raportohet se një vit e gjysmë më parë viktima Demir Backa ka rrahur në lokalin e tij “Piazza” në mes të qytetit të Fierit Ben Qimen dhe djalin e tij. Ky i fundit ka qenë dhe shkaku i sherrit mes “dy të fortëve të Fierit”, pasi ka përndjekur dhe përplasur me makinë mbesën e Dem Backës.
Kur ata kanë shkuar për t’u sqaruar në lokal, Dem Backa i ka rrahur të dy, Ben Qimen dhe djalin e tij.
revista.one/