“Snob”, më në fund një serial i vërtetë shqiptar
November 5, 20215 gjëra që mësuam nga dokumentari i $NOB!
Pak ditë na ndajnë nga premiera e $NOB, serialit të parë teen-drama në Shqipëri, bashkëprodhim i Anabel Entertainment dhe Nilor Film. Kurioziteti në rrjet është i madh. Gjatë kësaj kohe, disa detaje janë zbuluar nga produksioni, ndërkohë që së fundmi një dokumentar prezantoi për herë të parë prapaskena nga xhirimet dhe disa skena nga seriali. Flasin realizuesit dhe aktorët dhe ja çfarë mësuam:
- Historia, e shkruar nga krijuesja dhe skenaristja Dalina Buzi, është një histori e ditëve të sotme, që bën bashkë një grup njerëzish, të cilët në një moment kuptojnë se pavarësisht ndryshimeve të thella, janë të ngjashëm në shumë gjëra.
Të pyetur në fillim të dokumentarit se çfarë trajton skenari, aktorët protagonistë e përshkruan kështu: “Një histori e ditëve të sotme” e përmblodhi aktorja Ketjona Pecnikaj, ndërsa për Todi Kasemin historia lidhet me disa “të rinj të shtresave të ndryshme shoqërore që një ditë fati dhe nevoja i bën bashkë.” Këta të rinj, “gjatë rrugës kuptojnë se pavarësisht gjendjes ekonomike, më shumë janë të njëjtë sesa të ndryshmëm” shtoi Olta Beqiri. Brarend Akçiu tha “se arrin një moshë që ata kanë nevojë për pavarësi dhe identifikim dhe lind dëshira për të krijuar emrin tënd”. Altea Lazaj u shpreh se “historia nuk është kaq e thjeshtë. Personazhet vijnë me bagazhet e tyre, me familjet dhe jetën që kanë pasur” dhe “familjet më shumë kanë dëmtuar sesa kanë mbrojtur fëmijët,” shtoi më pas Gent Disha. Për Megli Haskajn “në thelb është një thirrje për vëmendje ndaj këtij brezi, që nga një anë nuk e di se çfarë do dhe nga ana tjetër ende kërkon që të marrë vëmendje nga njerëz të tjerë.”
- Nuk ka asnjë ndryshim me serialet e huaja.
Dritan Kastrati, një aktor me eksperiencë të gjatë aktrimi në Britaninë e Madhe i cili ka përfunduar një serial në Netflix, u shpreh gjatë dokumentarit se $NOB nuk ka pasur asnjë ndryshim me serialet e huaja. “Nuk ka pasur asnjë diferencë nga jashtë vendit dhe këtu. E vetmja gjë që më ka kënaqur mua është se flasim shqip dhe [kjo gjë] dhe më ka dhënë një dashuri. Nuk ka asnjë diferencë. E kam gjendur veten time shumë mirë, sepse skenari është i shkruar shumë mirë, është i menduar shumë mirë prej Dalinës kur e ka shkruar,” tha Kastrati.
- Dy seritë e para pilot janë testuar në audiencë.
“Pasi realizuam dy seritë e para pilot ne bëmë një test audience sipas standardeve ndërkombëtare dhe testin e kaluam me shumë sukses. Feedback-u ishte shumë pozitiv, mbi 80% e audiencës i pëlqeu të dyja seritë dhe të imagjinosh që ne seritë i bëmë brenda një kohe shumë të shkurtër, në kushte karantine dhe me një buxhet minimal. Pas kësaj pritjeje dhe ngazëllimi dhe pasi morëm shpresë që po bënim diçka të mirë, regjisori Redi Treni dhe bashkë-producenti Ols Abazi thanë që është koha të kalojmë në një cilësi maskimale,” u shpreh krijuesja dhe bashkë-producentja Dalina Buzi.
- Është prodhuar sipas standardeve ndërkombëtare të platformave si Netflix dhe HBO.
“Për mua ka qenë një proces i gjatë, por fantastik. Ka qenë një energji e jashtëzakonshme. Dua të them që nuk kam rastisur dhe nuk kam parë nivel të tillë seriali të trajtuar në mënyrë filmike. Detyrë e jona është që të ofrojmë një standard dhe besoj e kemi arritur,” theksoi drejtori i fotografisë, Latif Hasolli, një ndër më të mirët në Ballkan. Imazh Netflixi, ku flitet shqip!
- Personazhet dhe ngjarjet vijnë surprizë.
Bashkë-producenti Ols Abazi u shpreh se skanari është i ndërtuar nga Dalina Buzi në të tillë forme që të ketë të papritura dhe shumë pyetje: Ku do të shkojë ky personazh? Çfarë do të ndodhë me të? “Kjo ka qenë gjëja që më ka pëlqyer shumë dhe më ka bërë që unë të besoj, Redi të besojë dhe të gjithë të besojmë që me personazhet e rinj, me të gjitha karakteret e reja, me skenarin jo të zakonshëm dhe me gjithë komponentët e tjerë, unë besoj se kemi bërë një gjë të jashtëzakonshme,” shtoi ai.
$NOB do të transmetohet në Top Channel nga data 7 nëntor, çdo të diel në orën 20:00. Sezoni i parë përmban 10 seri nga 1 orë secila. revista.one/