Lufta për kokainën, vritet me 20 plumba në Ekuador Ergys Dashi
January 23, 2022Lufta mes grupeve kriminale shqiptare që veprojnë në Guajakil të Ekuadorit në Amerikën Latine, ka riregjistruar viktimës e radhës mbrëmjen e 22 janarit 2022.
Personi që ka mbetur i vdekur në ambientet e një restoranti është identifikuar si Ergys Dashi dhe se sipas të dhënave rezulton se është nga qyteti i Durrësit, por banues në Tiranë.
Dashi kishte disa kohë që jetonte përkohësisht në Guajakil të Ekuadorit, ndërsa dyshohet se aktiviteti i tij në këtë shtet, ka qenë trafiku i lëndëve narkotike.
Ergys Dashi, rezulton të jetë pjesë e një grupi kriminal në Tiranë dhe Durrës, ku drejtuesit e këtij grupi kohët e fundit janë zhvendosur në Dubai dhe prej këtij monitojnë trafikun e kokainës nga Ekuadori në vendet e Evropës si dhe në Shqipëri.
Dashi, ishte njeriu i besuar i E.D dhe P.D, që të dy persona të shpallur në kërkim nga drejtësia Shqiptare dhe ajo italiane.
Mediat në Guajakil raportojnë se:”…Ergys Dashi, 34 vjeç, u identifikua si njeriu i vrarë në restorantin Grilling, në Avenue José Joaquín Orrantia, diagonalisht me Mall del Sol, në veri të Guayaquil. Sipas burimeve policore, individi do të kishte pasur lidhje me trafikun e drogës…”.
Akti i dhunshëm u regjistrua natën e së shtunës, 22 janar, rreth orës 19:00, kur dy persona, njëri prej tyre me një buqetë me lule, hynë në biznes duke iu shmangur stafit, i cili kërkonte për klientët kartën e vaksinimit.
Njëri nga personat ka nxjerrë nga tufa e luleve armën duke qëlluar plot 20 herë dhe lënë të vdekur në vend, Ergys Dashin.
Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar mbi 20 shenja të fishekëve të markës Fame, tip 9×19, sipas karakteristikave të dhëna nga hetuesit. Ata gjithashtu konstatuan se viktima ka marrë disa të shtëna në pjesën ballore të kafkës.
“…fillimisht nuk dihej identiteti i të ndjerit, por pas dërgimit në Laboratorin e Kriminalistikës, u konfirmua identiteti dhe origjina e tij nga Evropa Lindore, nga rajoni i Ballkanit…”-raportojnë mediat vendase.
Ndërsa më pas u mësua plotësisht se viktima ishte shtetas shqiptar, pjesë e një grupi kriminal në Shqipëri, që vepron në Durrës dhe Tiranë.
Gjatë aktit të dhunshëm, u plagos një e re e identifikuar si Angie Romero, 26 vjeç. Ajo ishte ulur në një tavolinë pranë vendit ku ndodhej shqiptari. revista.one/