Zjarri në komisariat, i ndaluari që humbi jetën i kishte vënë flakën qelisë
March 27, 2022Dy policë janë arrestuar dhe tre të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, pas zjarrit që përfshiu mbrëmjen e një nate më parë ambientet e paraburgimit në Komisariatin e Policisë në Kamëz.
Si pasojë e flakëve dhe asfiksisë ndërroi jetë në spital Arben Mici, arrestuar për “Dhunë në familje”, i cili dyshohet se i vuri zjarrin me çakmak dhomës ku po qëndronte, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
Të lënduar jashtë rrezikut për jetën mbetën Dilaver Idrizi, i arrestuar për vrasje në tentativë, si dhe punonjësi i policisë H.B.
Dilaver Idrizi ushtroi dhunë në mënyrë makabre ndaj partneres së tij, për shkak të një mesazhi që i erdhi për 8 Mars.
Pasi e dhunoi ai e hodhi nga ballkoni dhe ngjarjen e raportoi si aksidentale, por ishte vajza e të dhunuarës që bëri publik rastin dhe u arrit prangosja e tij. Idrizi një ditë më parë doli para trupës gjykuese, duke mohuar dhunën e ushtuara ndaj partneres.
Punonjësit e policisë kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse.
Të arrestuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës” janë oficerët sigurisë në dhomat e paraburgimit të të ndaluarve/arrestuarve, F. I., 64 vjeç dhe H. B., 64 vjeç.
Po kështu, për shkak të mos ushtrimit të kompetencave janë vënë nën hetim në gjendje të lirë L. M., 64 vjeç, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë për personat e ndaluar/arrestuar; M. M., 52 vjeç, me detyrë Nd/specialist Informacioni dhe Y. Ç., 44 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.