”E tallnin se ishte i varfër”, kush ishte i riu që vrau 19 fëmijë në SHBA!
May 25, 2022Autori i masakrës më të fundit në një shkollë të SHBA-së që trondit vendin e mbarë botën, është identifikuar si Salvador Ramos.
Pak pasi kishte qëlluar gjyshen e tij, 18 vjeçari i është drejtuar shkollës fillore Robb, në Uvalde të Teksasit e më të hyrë brenda, ka nisur të qëllonte mbi nxënësit e mësuesit që i dilnin përpara.
Bilanci i ngjarjes së rëndë është tragjik: 19 fëmijë të vdekur, e dy mësuese të ekzekutuara gjithashtu pa mëshirë. Autori mbeti dhe vetë më pas i vrarë nga policia. Zyrtarët lokalë thanë se Ramos kishte blerë një armë gjysmëautomatike për ditëlindjen e tij të 18-të dhe ishte shfaqur me të në rrjetet sociale.
I riu kishte studiuar dhe vetë në shkollën e mësyrë prej tij. Një shok i tij i klasës tregoi se Ramosin e tallnin shumë për veshjet që mbante dhe për gjendjen e vështirë financiare të familjes së tij. Ai e la shkollën e gjeti një punë në një fast food, ku kolegët thonë se ishte një tip i qetë e i tërhequr, që nuk socializohej shumë me të tjerët.
Në mesin e viktimave të tij janë dy djemtë, Xavier Lopez, 10 vjeç dhe Uziyah Garcia nëntë vjeç – dhe disa vajza – Makenna Elrod, 10, Amerie Jo Garcia, 10, Eliahana Torres, gjithashtu 10 vjeç. Presidenti amerikan, Joe Biden doli menjëherë para kamerave pas kthimit nga Azia, pas tragjedisë dhe kërkoi ashpërsim të ligjit të armëve.
Biden: Që kur u bëra president, kam shpresuar që të mos e bëj këtë sërish, të mos flas për një tjetër masakër. Si komb SHBA duhet të pyesë veten, “se kur për hir të zotit do t’i tregojmë vendin lobit të armëve? Është thjesht e gabuar, që një 18 vjeçar të shkojë në dyqan armësh dhe të blejë automatikë. Nuk mund të ndalësh çdo tragjedi me ligje më të ashpra, por ligje të tilla do të kenë efekte pozitive. Nxënës të klasës së dytë, të tretë apo të katërt lanë jetën “në një masakër tjetër”. Prindërit “nuk do t’i shohin më kurrë fëmijët e tyre, nuk do t’i çojnë më kurrë në shtrat dhe nuk do mund t’i përkëdhelin më kurrë.
Nga sulmet të tilla amoki me armë në SHBA janë të prekura shpesh shkollat. Kështu në dhjetor 2012 një i ri qëlloi në shkollën fillore Sandy Hook 20 fëmijë dhe 6 të rritur.