Al Bano në Tiranë/ Koncert në Amfiteatrin e Liqenit

Al Bano në Tiranë/ Koncert në Amfiteatrin e Liqenit

June 7, 2022 0

Këngëtari i famshëm italian, Al Bano ndodhet në Tiranë dhe do të mbajë një koncert këtë mbrëmje në orën 20:00 në Amfiteatrin e Liqenit të kryeqytetit.

Albano numëron dhjetëra këngë të famshëm dhe të dashura për publikun jo vetëm italian,  por edhe atë shqiptar.

Në një intervistë për Top Channel ai shpjegoi se përse quhet Albano, siç quhet Shqipëria në arenën ndërkombëtare.

“Sepse im atë në Luftën e Dytë Botërore u dërgua në Shqipëri. Ai më ka thënë një frazë shumë të rëndësishme. Isha në luftë por nuk vrava askënd. Ai ishte mirë por shtirej si i sëmurë, sepse donte të kthehej në shtëpi dhe të martohej me gruan që u bë nëna ime”, tha ai.

Kujtojmë Albano Carrisi ishte i pari që theu akullin dhe vizitoi Shqipërinë në një koncert madhështor në vitin 1989.

Artisti rrëfehet edhe në një intervistë për Report TV.

Nga hera e parë që erdhët në Shqipëri, në 1985 si ka ndryshuar Shqipëria në sytë tuaj?

Unë e kujtoj shumë mirë atë moment, sepse babai im sapo kishte kaluar një infarkt. Më kishte kërkuar mua, si më të madhin e fëmijëve, që para se “unë të vdes duhet të më çosh në Shqipëri”. Në Romë në atë kohë ishte ambasadori Bashkim Dino, kështu quhej dhe i kërkova leje, nëse mund të na ndihmonte. Dhe më tha, pas 6 muajsh është një grup që niset. Dhe unë këmbëngula, i thashë: Ambasador babai im sapo ka kaluar një infarkt dhe më ka kërkuar që para se të vdesë dëshiron të vizitojë atë zonë të Shqipërisë ku ka qenë ushtar me detyrim… Atëherë ai më tha më jep dy ditë kohë. Dhe ashtu ndodhi. Më thirri dhe më tha “Albano a doni të niseni, për nga Kakavija do të jetë një delegacion që do t’ju shoqërojë për në Gjirokastër. Shkuam në Gjirokastër dhe pastaj u kthyem. Herën e parë. Herën e dytë erdhëm deri në Tiranë, në 1987. Kështu kur Romina ishtë shtatëzanë, unë përfitoja nga rasti për të bërë ato gjëra që në rrethana të tjera nuk do të kisha mundur …

Por çfarë kuraje të udhëtojë në Shqipërinë e regjimit komunist…

Në fakt unë jam trajtuar mirë, por kam parë Shqipërinë e asaj kohe në çfarë kushtesh jetonte. Më kujtohen ata kamionët kinezë plot me njerëz .Më kujtohen malet plot me dhi të zeza dhe shumë gomerë… Një Shqipëri shumë e varfër… ku ndihej se kishte një regjim që imponohej dhe krijonte trysni, në spiralen normale të lirisë…

A keni takuar ndonjë politikan shqiptar në atë kohë? Çfarë përshtypje ju kanë lënë?

A e di, kur ka një rrymë politike ku duhet të ushtrojnë atë lloj aksioni politik që imponohet janë të gjithë njësoj, shndërrohen në një ushtri, pastaj historia do të marrë rrjedhën e saj. Nuk e di asnjëherë se kur, por do të ndodhë…

Nëse ti mendon fuqinë e madhe të komunizmit në Rusi, ra edhe ai … E kështu me radhë fashizmi, nazizmi, gjithmonë rrëzohen sepse populli gjithmonë do të ketë nevojë për një lloj pavarësie që është oksigjen për mendjen dhe për shoqërinë. Quhet liri. Një liri e shëndetshme ndihmon një popull që të krijojë një harmoni perfekte me ambientin, me politikën, me fenë. Një liri e shëndetshme është gjithmonë një ilaç i jashtëzakonshme për çdo popull.

“Liberta”, njësoj si kënga që kënduat në vitin 1989 në Shqipëri. Jeni, i pari këngëtar perëndimor që merrni kurajën të mbani koncert tej kornizave të socializmit në regjimin komunist shqiptar…

Mua më kujtohet diçka shumë e çuditshme. Sepse mbrëmjen e parë këndova në Pallatin e Kongreseve. Dhe ishte një pjesë e publikut që duartrokiste, ndërsa një pjesë tjetër dukej se i krijonte bezdi, ngrihej… Dhe unë pyesja veten: Çfarë dreqin po ndodh këtu. Sepse nuk dija asgjë…

Mbrëmjen tjetër, në stadium, aty ka qenë një shpërthim total… Mbaj mend se erdhi Sigurimi afër meje dhe më tha: Nëse sot ndodh ndonjë incident dije se faji do të jetë vetëm i yti. Dhe unë u thashë: Pra, ju mos ndoshta po më kërkoni që të resht së kënduari… Dhe ata ma kthyen: Jo, jo ti e kuptove mirë se ç’duam të themi…

Të kanë penguar të jesh i lirë ndërsa këndoje “Liberta”…

Jo! Vetëm kur zbrita në mes të publikut për të kënduar “O sole mio” , që është një moment i jashtëzakonshëm… Këtu më thanë ato fjalë që duhej të tregohesha i kujdesshëm që mos të ndodhte gjë. Dhe unë u thashë, “jam këtu për të kënduar jo për të krijuar kaos…”

Për fat të keq edhe në ditët e sotme na duhet të flasim për diktatorë, e luftëra, siç është ajo në Ukrainë…

Ajo është një tragjedi, është një tragjedi e madhe… ku mund të përdorim atë shprehjen “atje është një mace e madhe që po luan me një mi”…

Por në fakt ju keni refuzuar që të këndoni në Rusi?

Po, po….. Madje më duhet ta them. Unë kam qenë një admirues i madh i Putinit. Kur nuk mund të flitej , mua s’më interesonte  dhe flisja, sepse ndieja nevojën që të shprehja lirshëm mendimet e mia. Dhe nëse do të më kishin thënë “shiko se Putini ndoshta do të sulmojë Ukrainën”, unë do t’u thosha: Gaboni! Por në fakt gaboja unë!

Unë këndoja 5 herë për Putinin, kishte simpati dhe dashuri të madhe për Italinë, por edhe dëshirë për Perëndimin. Problemi është që NATO ka pushtuar toka që duheshin respektuar pak më shumë… Siç bënë në kohën e tyre Krushov dhe Kennedy. Kur Krushov çonte raketat në Kubë, sepse kishte fituar komunizmi i Fidel Kastros. Atëherë Kennedy i thotë: I dashur Krushov, je ti babai i kësaj lufte të tretë botërore, do t’i marrësh ti të gjitha përgjegjësitë duke ditur se çfarë ndodhi në të dytën? Pra, do vërtetë të fillosh Luftën e Tretë Botërore? Krushov kuptoi riskun dhe anijet që ishin në qendër të Atlantikut  u kthyen pas dhe çuan raketat nga ishin nisur. Dhe kësaj here ndodhi ajo që nuk ndodhi radhën e shkuar…

Është e vërtetë që ju keni marrë në shtëpi një familje ukrainase?

Po, është diçka normale për mua…

Mund të na tregoni diçka më shumë rreth kësaj?

Më morën në telefon dhe më thanë, po vijnë shumë ukrainas… e me pyetën dëshiron që të mirëpresësh prej tyre? Dhe u thashë sigurisht, 4 veta… I mora në shtëpi dhe më kujtohet mbrëmja kur erdhi ajo zonjë me fëmijën e saj dhe dy djem të tjerë. Vështrimi i fëmijës ishte sikur t’i kishin dhënë dy grushte të forta në sy, i lodhur, me rrathë të zinj në sy…. Janë skena që njeriu s’do të përballet kurrë! Kurrë! Më kujtohet zonja që sapo më pa më tha: Ti je Albano këngëtari, edhe u duk sikur ju kthye çehrja në fytyrë. Tani janë në shtëpinë time, janë mirë, dhe është një emocion i madh…

Në fakt ju keni strehuar edhe shqiptarë… Në mos gaboj mes tyre është edhe Aksinja Xhoja, bijë arti (vajza e aktorit Nikolin Xhoja) mike e familjes suaj dhe mësuesja e fëmijëve tuaj në piano…

Po me të vërtetë ajo është një pianiste e jashtëzakonshme.. Kanë jetuar tek unë për një kohë të gjatë dhe pastaj së bashku me bashkëshortin vendosën që të vendoseshin në Brindisi, por miqësia mbetet

Po shqiptarët sot këtej Adriatikut si ju duken, krahasuar me ndrydhjen që kishit hasur në fillim?

Po ka ndodhur një evolucion i vërtetë… Më parë shikonin vetëm një kanal televiziv dhe duhej të jetonin vetëm në një mënyrë që iu ishte përcaktuar, ndërsa tani, ku sigurisht që edhe televizioni luan rolin e vet si mësues… truri është i lëvizshëm, mjaftojnë disa impulse ndonjëherë që mund të të ndihmojnë për të përmirësuar veten nëse je i hapur për të bërë këto hapa ndaj vetes por edhe ndaj të tjerëve