Tritol lokalit të Noizyt në Durrës, dy ditë pas sherrit me reperin Cllevio (VIDEO)
June 8, 2022Shpërthimi eksplozivi në orët e para të mëngjesit të sotëm në butikun e Noizyt në zonën e plepave në Durrës, i cili figuron në emër të babait të tij, Bashkim Rajku.
Burime bëjnë me dije se autori i vendosjes së lëndës plasëse ka qenë një mashkull, ndërkohë që nuk është bërë ende identifikimi i tij pavarësisht kqyrjes së kamerave të sigurisë.
Në dëshminë e tij në polici, vetë Noizy është shprehur se nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë, pëveç se me Kleviol Ahmetajn, i arrestuar nga policia pas konfliktit dy ditë më parë me reperin.
Sasia e tritolit që ka shpërthyer llogaritet të jetë rreth 150-200 gram. Në këtë përfundim ka dal grupi i hetimit i cili ndodhet në vendin e ngjarjes, ku vijon punën për mbledhjen e provave. Ndërkohë pritet që të merret në pyetje edhe Kleviol Ahmetaj.
Ky i fundit do pyetet nga grupi hetimor, pasi është personi i vetëm ndaj të cili Rigels Rajku, ka ngritur gishtin, duke u shprehur në dëshminë paraprake se nuk ka probleme apo konflikte të tjera përveç tij.
Kujtojmë se ditën e djeshme edhe Ahmetaj u drejtua në polici ku depozitoi një kallëzim ndaj Rajkut, duke denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tij përpara lokali të reperit të njohur. Policia nisi hetimet në gjendje të lirë për Noizyn dhe babain e tij.
Konflikti mes dy personazheve nisi pas sharjeve të vazhdueshme që Cllevioli bënte ndaj Noizyt, kryesisht në tik tok. Së bashku me një grup miqsh dy ditë më parë, lushnjari shkoi në drejtim të lokalit të Noizyt, ku u përball dhe u dhunua nga reperi, babai dhe miq të tij.
Klevion Ahmetaj u arrestua më pas nga Policia, për shkak se sipas bluve kishte shkelur masën e arrestit të shtëpisë, pasi ishte dënuar nga gjykata për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.