Vargje nga poeti Lasgush Poradeci dhe muzikë klasike, mbahet “Vallja e yjeve” në Pogradec

Vargje nga poeti Lasgush Poradeci dhe muzikë klasike, mbahet “Vallja e yjeve” në Pogradec

July 29, 2022 0

“Vallja e yjeve” vjen për herë të parë në Pogradec.

Një festival ku muzika klasike gërshetohet me letërsinë lasgushiane. Eventi e ngriti siparin mbrëmjen e të enjtes ku qytetarë të shumtë si dhe turistë vendas e të huaj që po pushojnë në qytetin liqenor kaluan disa orë magjike nën melodinë e tingujve të pianos.

“Ky festival është konceptuar prej fillimit si një bashkëpunim mes letërsisë lasgushiane dhe muzikës klasike”, tha Eritan Kamolli – Drejtor i Kulturës, Pogradec.

Edhe për pianisten e njohur Dhurata Lazo, netët e këtij festivali do të dhurojnë emocione të forta për të gjithë artdashësit.

“E kam për herë të parë në Pogradec. Dhe Pogradeci është një bukuri e vetëm. Është një nga koncertet më të bukur e gjitha poezi dhe i përshtatet liqerit, Lasgushit e Pogradecit që është shumë romantik”, deklaroi muzikantja.

Pjesë e këtij eventi do të jetë dhe Marije Gusho, vajza e poetit të njohur Lasgush Poradeci, e cila nuk i ka fshehur emocionet.

“Vlerat nuk vdesin kurrë. Për mua, ma do mendja e shumë të tjerë, im atë është. Je gjeni dhe gjeniu është ai që nëpërkëmb të gjitha interesat dhe sidomos ato materiale”, u shpreh Gusho.

Vallja e Yjeve do të zgjasë katër ditë ku përgjatë netëve organizatorët kanë menduar të sjellin në skenë krahas muzikës klasike dhe interpretimet e krijimtarisë së Lasgushit edhe grupe të iso-polifonisë së njohur shqiptare.

revista.one/