Selaniku mirëpret në aeroport shqiptaren kampione Elina Xhengo. Nëna dhe babai preken (Video)
August 23, 2022Elina Xhengo mbërriti në shtëpinë e saj në Selanik ku banorët vendas i rezervuan një pritje të ngrohtë. Në aeroportin “Maqedonia”, flakadanë dhe shumë tifozë të pranishëm, krijuan një atmosferë të zjarrtë për 20-vjeçaren.
Kampionia e Europës në hedhjen e shtizës me origjinë shqiptare dhe shtetësi greke që u rendit e para me provën më të mirë 65.81 metra, u prit nga miq, familjarë dhe shokët e shoqet e fshatit ku jeton që prej lindjes së saj në vitin 2002 nga prindër shqiptarë, të cilët kishin emigruar në vitet ’90 ashtu si shumë shqiptarë të tjerë. Ajo i falënderoi të gjithë për mbështetjen:
“Ju e bëtë ëndrrën time 100 herë më të bukur”, u shpreh kampionia që pak orë më parë e pranoi që kishte marrë edhe mesazhe jo miqësore për shkak të origjinës së saj.
Në vijim ajo shtoi:
“Ia dedikoj këtë sukses të gjithë fëmijëve që arrijnë të ngjiten në majë duke kaluar shumë sakrifica. Falënderim për ata njerëz që vlerësojnë sakrificat dhe pengesat që të rinjtë kanë në jetë”.
Në aeroport bashkë me dhjetra njerëz të tjerë, Elina u surprizua edhe nga prania e vajzës së dytë të familjes Xhengo, e cila punon në ishullin e largët të Santorinit por udhëtoi për të takuar kampionen dhe motrën e saj.
Ajo dhe babai u shprehën të emocionuar për arritjen e Elinës që sot konsiderohet e ardhmja e atletikës helene.
revista.one/