“Më tradhtonte…” Nadire Kurti rrëfen krimin makabër: E godita burrin me sopatë! Mësova duke therur pulat!

“Më tradhtonte…” Nadire Kurti rrëfen krimin makabër: E godita burrin me sopatë! Mësova duke therur pulat!

August 30, 2022 0

“Isha unë që e vrara dhe e copëtova trupin e burrit time. Ai donte të më linte dhe të merrte në shtëpinë tonë të dashurën e tij”, kështu ka deklaruar Nadire Kurti, e akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj, Shefki Kurti, më shumë se një muaj më parë në Itali.

Por sipas mediave italiane, “e dashura e 72-vjeçarit ekzistonte vetëm në mendjen e Nadire Kurtit, e frikësuar se mos braktisej dhe mbetej pa të ardhura”.

“Kështu, si në historitë më makabre mitologjike të lashtësisë, përfunduan hetimet për vrasjen e pensionistit 72-vjeçar shqiptar, Shefki Kurti, pjesët e trupit të të cilit u gjetën në qese të ndryshme mbeturinash në kanalin Adigetto mes 28 dhe 31 korrik”, shkruan Il Gazzettino.

Fillimisht u dyshua se vrasja makabër e shqiptarit u krye nga një kriminel, i lidhur me ndonjë bandë, ndoshta për borxhe të papaguara. Por hetuesit italian zbuluan se krimi mizor u krye nga bashkëshortja e viktimës, e cila mësohet se përballej me sëmundje që e pengojnë të ecë me lehtësi dhe me ç’rregullime psikiatrike prej vitesh.

Gruaja është shtruar në spitalin e psikiatrisë së Rovigos që prej datës 12 gusht dhe ka rrëfyer gjithçka para karabinierëve me datën 18 gusht.

Hetuesit kishin gjetur gjurmë të pakundërshtueshme se trupi ishte masakruar në banesën e çiftit në via Ghirardini në Badia Polesine, pavarësisht se Nadire Kurti kishte pastruar gjithë shtëpinë për të fshirë shenjat e gjakut.

Karabinierët kthyen banesën në skenë krimi, ndërsa gruaja ishte strehuar tek djali i saj në Masi.

Rrëfimi

Përballë gjyqtares Maria Gulia Rizzo dhe hetuesve, ajo ka përshkuar minutë pas minute me çdo detaj se çkishte ndodhur të enjten e 21 korrikut.

Gjithçka nisi pas një sherri mes tyre.

“Burri im kishte një tjetër, kishte edhe një mikroçip në vesh me të cilin i fliste gjithmonë. Edhe unë mund ta dëgjoja zërin e saj. Ajo donte 90 mijë euro nga Shefkiu”,tregoi gruaja.

Më pas ka rrëfyer: “Ai më drejtoi një thikë këtu (duke treguar barkun) dhe më pas e godita.”

Për të kryer krimin, ajo përdori një sëpatë, atë që bashkëshorti i saj përdorte për të prerë dru. E goditi në pjesën e pasme të kokës dhe bashkëshorti ra në shtrat i plagosur rëndë.

Por Nadire Kurti nuk u ndal me kaq, duke vazhduar të godiste me sëpatë burrin me të cilin ishte martuar 40 vite më parë në Shqipëri dhe kishin dy fëmijë së bashku, derisa për pak sa nuk i hoqi kokën, shkruan Il Gazzettino.

Më pas, tërhoqi kufomën me çarçaf në banjë, duke e kthyer në një thertore. Aty e copëtoi dhe pjesët e trupit vendosi në qeset e zeza të plehrave dhe më pas i futi në frigoriferin e shtëpisë, duke pritur që të binte nata.

Pastaj, nën mbulesën e errësirës, ​ajo përshkoi 60 metrat që e ndanin nga argjinatura e Adigetto-s dhe i hodhi në kanal mbetjet e të të shoqit, thikën dhe sopatën që përdori për ta masakruar.

Më pas u kthye në shtëpi ku pastroi gjithçka dhe telefonoi të birin duke i thënë se viktima e kishte keqtrajtuar dhe pas zënkës ishte larguar nga shtëpia.

E pyetur se ku mësoi të priste trupin ajo tha: “Duke therur pulat.”

Gjetja e trupit

Pas rrëfimit, pasditen e së enjtes së 18 gusht karabinierët u kthyen me zjarrfikësit në Adigetto, 60 metra larg shtëpisë së çiftit. Aty, poshtë urës, gjetën sopatën dhe tre thikat e kuzhinës që gruaja përdori për vrasjen.

Nadire Kurti u arrestua mëngjesin e së shtunës. Një ekspertizë e përgatitur tashmë do të verifikojë gjendjen e saj psikike. Ndërkohë, ajo ruhet në repartin e psikiatrisë e akuzuar për vrasje dhe shkatërrim të një kufome.

revista.one/