U tremb dhe qëlloi makinën pa targa të policëve, Diego Hanaj ra në atentat 9 muaj më parë: Lagja u bë “shosh” me plumba

U tremb dhe qëlloi makinën pa targa të policëve, Diego Hanaj ra në atentat 9 muaj më parë: Lagja u bë “shosh” me plumba

September 3, 2022 0

Diego Haxhiraj alias Teki Haxhiraj alias Diego Hanaj, është shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës, pasi mbrëmjen e djeshme dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të një mjeti të zi, pa targa dhe me xhama të zinj, ku udhëtonin dy policë, jashtë shërbimit.

Anxhelo Breshani, efektiv i Patrullës së Përgjithshme në Vlorë dhe Nako Mehmetaj, efektiv i Policisë Kufitare me detyrë në Sarandë, po lëviznin me një mjet “Audi” dhe në një moment e kanë parakaluar Diego Hanajn. Ky i fundit është trembur dhe ka qëlluar me armë, duke menduar se kishte rënë në atentat.

Të dy policët kanë qenë jashtë shërbimit dhe po ktheheshin nga palestra, civilë, dhe deri tani raportohet se nuk janë përgjigjur me armë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Partizani” të qytetit, aty ku autori i dyshuar 37 vjeçar ka braktisur mjetin e tij dhe tashmë është shpallur në kërkim.

Kush është Diego Haxhiraj alias Teki Haxhiraj alias Diego Hanaj

Mbrëmjen e 5 janarit 2022, Diego Hanaj sapo kishte dalë nga një lokal i lagjes “Pavarësia” dhe po kthehej në këmbë në shtëpi. Me shpejtësi pranë tij ka kaluar një mjet fuoristradë “Audi Q7”, nga i cili është qëlluar me breshëri plumbash.

Në atë kohë 36 vjeç, Diego Hanaj mori një plumb në dorë dhe vrapoi drejt rrugës së shtëpisë. Autorët e kanë parë dhe kanë vazhduar të qëllojnë me breshëri për rreth 50 metra, por fatmirësisht asnjë plumb më pas nuk e ka prekur.

I riu tha se nuk kishte konflikte dhe nuk dinte kush kishte dashur ta eleminonte. Pak ditë para se t’i bëhej atentati i janarit 2022, Diego Hanaj ishte kthyer nga Holanda. Në atë kohë Policia hetoi në dy pista; vite më parë babai i tij ishte përfshirë në një vrasje dhe e dyta lidhja familjare e Hanajt me vëllezërit Ibrahimaj.

Diego Hanaj është kunat me Isuf Brahimaj, i cili u ekzekutua me shpërthim eksplozivi në vitin 2014. Ngjarja e 9 muajve më parë mbeti e pazbardhur, pavarësisht se në zonë u sekuestruan shumë kamera sigurie dhe u pyetën dhjetëra dëshmitarë.

revista.one/