(VIDEO) I djegin makinën për herë të dytë, Deizi Arapi akuzon deputetin e Bilishtit

(VIDEO) I djegin makinën për herë të dytë, Deizi Arapi akuzon deputetin e Bilishtit

September 25, 2022 0

I djegin makinën për herë të dytë Deizi Arapit, vajzës nga Bilishti që bëri bujë se u arrestua nga policia për prishje të qetësisë publike, para pak javësh. Deizi kërkon ndihmë nga shteti. Ajo thotë se e njeh autorin dhe ngjarja ka lidhje me heqjen e nënës së saj nga puna disa vjet më parë. Ajo thotë se nëse autoritetet nuk reagojnë, herën tjetër do ta gjejnë kanaleve dhe për këtë është e sigurt.

“Ka qenë i njëjti person që ishte mbrëmë duke më ruajtur, kemi shkëmbyer dy fjalë bashkë, por duket që ka qenë në pritje të parkimit të makinës sime dhe më pas të kryente aktin. I lutem shtetit të verë dorën në zemër, është hera e dytë, herën e tretë besoj do më gjeni kanaleve e sigurt”, deklaroi Deizi Arapi, pasi gjatë natës i kanë djegur makinën.

Ajo pretendon se i ka me emra dhe me fakte personat që e kanë kryer këtë akt. Gjatë një prononcimi për mediat, e reja nga Bilishti i bën thirrje shtetit për ndihmë. Ajo thekson se kjo është hera e dytë që i është djegur mjeti.

“I bëj thirrje shtetit shqiptar se është hera e dytë që më djegin makinën, është hera e dytë që ndodh në një interval kohe prej 4 vitesh. Unë jam femër. As kam vrarë, as kam prerë, as kam bërë ndonjë krim që të ngrihem në orën 2 e gjysmë të natës dhe të gjej këtë që shikoni dhe vetë. Ju lutem se jeta ime është në rrezik, nuk mund të fle dot e qetë. Nuk mund të dal dot. Nuk mund të parkoj dot makinën jashtë shtëpisë se do e gjej në këtë gjendje. Unë kam dyshimet e mia se kush ma ka bërë. Kam parë skenën, kam parë personin që më ruante, i kam me emra, i kam me fakte. Personi është treguar neglizhent se ka harruar edhe bidonin e benzinës që e ka hedhur. I kërkoj shtetit që të paktën kësaj radhe të verë dorën në zemër, se kemi familjarë në shtëpi”, shprehet Arapi.

“Dyshoj për një konflikt shumë të vjetër që ka të bëjë me heqjen e mamasë time nga puna dikur me një ish-kryetar që ka qenë në qytetin e Bilishtit, i cili e hoqi mamanë time nga puna në mënyrë mizore. Patëm një konflikt me kryetarin sepse na përplasi derën turinjve dhe që prej asaj kohe na u dogj makina ime…”, tha ajo.

Policia po heton për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje. Ende nuk është përcaktuar nëse mjeti është djegur aksidentalisht apo qëllimisht.

Kujtojmë se pronarja e mjetit u procedua disa javë më parë pasi u konfliktua me punonjësit e policisë gjatë shoqërimit në Komisariat pas ankesave të banorëve për prishje të qetësisë publike.

Ish- kryetari i Bashkisë Devoll është Bledjon Nallbati, aktualisht deputet i PD-së.

Deklarata në polici:

Në dëshminë e saj, të dhënë në polici paraditen e 25 shtatorit, Deizi Arapi ka ngritur gishtin e akuzës ndaj deputetit të PD, Bledion Nallbati, ish kryebashkiaku i qytetit.

“I kërkoj ndihmë shtetit pasi është hera e dytë që me ndodh dhe ka lidhje me një konflikt të vjetër. Katër vite më parë mamaja ime është pushuar nga puna si pastruese padrejtësisht dhe unë jam konfliktuar me ish kryebashkiakun Bledion Nallbati.

Pas konfliktit mu dogj makina e parë. Dje gjatë gjithë ditës më ka ndjekur një person me të cilin dhe kam shkëmbyer fjalë mbrëmë. Ai është punonjës i karburantit në pronësi të Bledion Nallbatit. Në vendngjarje është gjetur një bidon benzine nga ky karburant ashtu si herën e kaluar. djegien e makines së parë policia e konsideroi aksidentale por ja qe ngjarja po përsëritet. Nëse nuk merren masa nuk është cudi që unë të përfundoj në ndonjë kanal”, ka deklaruar ajo në polici

revista.one/