Vlorent Xhafaj në tri projekte madhore të “La Scala-s”! Violonçelisti: U thirra nga Orkestra e Teatrit
October 16, 2022Vlorent Xhafaj-n, e takojmë një ditë para nisjes për në Milano… Pas provave gjenerale në Teatrin e “La Scala-s”, për produksionin “Fedora”, është shkëputur për të promovuar në Shqipëri, më të mirën e muzikës klasike.
Rivënia e operas së Umberto Giordano-s këtë të shtunë, që këtë vit shënon 9 dekada pas debutimit në këtë skenë përbën një moment kulminant në kalendarin e teatrit të “La Scala-s” për këtë vit… e kjo ngjarje artistike e gjen violonçelistin e njohur si concertino të violonçelave.
Virtuozi ka interpretuar në skenat më prestigjioze, por bashkëpunimi me Orkestrën e teatrit të La Scala-s vjen për herë të parë. E madje siç rrëfen, krahas operas “Fedora” që zgjat deri në 3 nëntor, po në këtë fundvit, i është kërkuar të bashkëpunojë edhe në dy produksione të tjera po aq madhore.
“Është edhe opera e autorit kontemporan Thomas Ades. “The tempest” nga Shekspir, por vepra është e re dhe kompozitori është edhe dirigjent i saj. Do të jenë 16 shfaqje të këtij produksioni. Dhe pastaj është një koncert sinfonik që luan orkestra me dirigjentin Daniele Gatti. Sinfonia nr.3 e Gustav Malher që do të shfaqet nga 9 në 12 nëntor”, thotë violonçelisti.
Instrumentistë, këngëtarë a dirigjent, përgjatë këtyre muajve Xhafaj ka sjellë në vendin tonë emrat më të njohur të muzikës klasike, jo vetëm përmes Different Trains, por edhe duke i dhënë Orkestrës së Rtsh-së, mundësi më të mëdha të shkëmbimit kulturor. Por si ndihen artistë si Tedi Papavrami a Elbenita Kajtazi pasi interpretojnë në skenën shqiptare.
“Në fillim pavarësisht se kanë dëshirë hezitojnë pak, pastaj të gjithë largohen të lumtur edhe nga ngrohtësia e muzikantëve shqiptarë si dhe publikut, e duan të rikthehen sërish”, rrëfen Xhafaj.
Pa harruar Shqipërinë, janë të shumta skenat ndërkombëtare ku do të interpretojë në muajt në vijim mes të cilave edhe Opera e Parisit.