Elsa Lila pranon trofeun e Fest 61 bashkë me Evitën në zyrat e RTSH
December 28, 2022Këngëtarja e madhe, Elsa Lila, u rikthye pas 25 vitesh në skenën e madhe të Festivalit të RTSH-së si konkurrente. Ajo garoi në edicionin e 61-të të festivalit të madh, me këngën “Evita” të cilën ia dedikoi vajzës së saj.
Elsa Lila u shpall fituese e edicionit të 61-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, pasuar nga Albina dhe Familja Kelmendi në vendin e dytë dhe grupi 2 Farm në vendin e tretë.
Të martën, Lila bashkë me Evitën e saj u drejtuan për në zyrat e Radio Televizionit Shqiptar, ku ka pranuar trofeun e madh të fitores.
Pati shumë diskutime pas festivalet, me disa prej thashethemeve që qarkullonin se Elsa kishte refuzuar trofeun pas mbarimit të festivalit, pasi u vendos që përfaqësuesi i Shqipërisë në ‘Eurovision 2023’ të zgjidhet nga votat e publikut – që rezultuan të jenë Familja Kelmendi.
Por në fakt, një gjë e tillë duket se nuk qëndron pasi të martën, këngëtarja e Sanremos pozoi me gjithë krenari me trofeun e saj të Fest 61, së bashku me vajzën e saj, Evita.
“Elsa mahniti me paraqitjen e saj brilante, interpretimin e fuqishëm, zërin dhe elegancën në skenë. Mes emocioneve të papërshkrueshme, me spektatore, protagonisten e këngës, Evitën e saj, këngëtarja na dhuroi një performancë të paharrueshme. Performancë e cila rrëmbeu trofeun e çmimit të parë të FEST 61, vlerësuar nga juria profesioniste e Festivalit”, shkroi ndër të tjerash faqja e Radio Televizionin Shqiptar në Instagram.
revista.one/