Shkarkohet drejtori i Muzeut Kombëtar, ishte komanduar pa konkurs

Shkarkohet drejtori i Muzeut Kombëtar, ishte komanduar pa konkurs

January 21, 2023 0

Ministria e Kulturës ka shpallur konkurs publik për pozicionin e Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar.

Konkursi për muzeun hapet publik për herë të parë nga viti 2013. Drejtori akutual Dorian Koçi, ka më se 6 vite në detyrë dhe është i pazgjedhur me konkurs, por i komanduar pas shkarkimit të ish-drejtorit Melsi Labi.

Ndërsa ministria vë si afat për dorëzimin e dokumenteve datën 26 janar, sipas njoftimit, kandidati duhet të propozojë një platformë për administrimin e Muzeut Historik Kombëtar dhe perceptimin e sfidave aktuale në fushën e muzeologjisë, si dhe metodologjinë për të përafruar modelet bashkëkohore ndërkombëtare.

Mes kritereve, përmenden masteri shkencor, përvoja e punës, njohja e problemeve dhe sfidave dhe përvoja me edukimin përmes kulturës.

Te Objektivat, Ministria përmend  përçimin e historisë së vendit, i cili ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit kombëtar, zhvillimin e rolit edukativ dhe në përcjelljen e këtij imazhi te vizitorët; studimi, kërkimi, konceptimi, projektimi, mbikëqyrja, konservimi, restaurimi, promovimi, publikimi, konsulenca dhe bashkëpunimi me subjekte publike e private, shqiptare apo të huaja, në fushën e tematikës. Po aq, përmendet edhe ekspozimi i fondit të MHK-së dhe hapja e ekspozitave të përkohshme, duke sugjeruar në OBJEKTIVA krijimin e shoqatën së miqve të muzeut, e cila ka për qëllim dhënien e një kontributi moral e financiar në zhvillimin e veprimtarive.

Ndërsa në vitet 2013-2017 kur institucioni kishte në krye ish -drejtorin Labi, u fol publikisht  për gjetjen në muze të lipsaneve të Shën Gjon Vladimirit, në vitet 2017-2023, nën drejtimin e Koçit, lipsanet dolën nga muzeu pa njoftim zyrtar nga Muzeu, ndonëse njoftimet për aktivitete më se modeste janë tërësisht të zakonshme.

Kujtojmë se Muzeu Historik Kombëtar do t’i nënshtrohet rikonceptimit e restaurimit nga programi “EUforCulture”, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe UNOPS.

revista.one/