Bebe Rexha i drejtohet publikut në koncertin e fundit: Jo telefona në fytyrën time, ju lutem
June 22, 2023Bebe Rexha rikthehet në skenë vetëm dy ditë pasi u godit në fytyrë nga një telefon që i hodhi një burrë nga audiencë.
Këngëtarja 33 vjeçe, kishte një fashë mbi sy gjatë performancës të së martës mbrëma – koncerti i saj i parë që nga incidenti.
Ndalesa e saj e fundit e turneut u zhvillua në ‘The Fillmore’ në Filadelfia, Pensilvani, shkruan DailyMail.
Bebe Rexha bisedoi me turmën gjatë koncertit të saj, duke u thënë atyre: “Vetëm ju lutem nuk ka telefona në fytyrën time sonte, ju lutem”.
Videoja e shpërndarë nga fansat në rrjetet sociale, tregon momentin kur ajo i drejtohet publikut me këtë kërkesë.
Bebe Rexha kishte një fashë mbi sy gjatë shfaqjes së saj, ndërsa kishte veshur një korse ari dhe fund nga materiali i ngjashëm me korsenë.
Tabloidi TMZ raportoi se ajo u duk e emocionuar gjatë interpretimit të këngës së saj “In The Name Of Love”.
Nicolas Malvagna, 27 vjeç, akuzohet se e plagosi yllin e muzikës pop duke i hedhur telefonin e tij në fytyrë gjatë performancës së saj të dielën mbrëma në New York.
Koncerti famëkeq u mbajt në “The Rooftop at Pier 17”, në kuadër të turneut të saj “Best F**n Night of my Life”.
Ajo po bënte simbolin e shqiponjës me duar dhe po ecte në pjesën e përparme të skenës kur telefoni e goditi mbi sy.
Ajo u kthye dhe ra në gjunjë përpara se ekipi i saj të nxitonin në skenë për ta ndihmuar të ngritej.
Sipas policisë, Rexha u shtrua në spital dhe pësoi ‘skuqje, ënjtje, mavijosje dhe një çarje në sy dhe dhimbje të konsiderueshme’ si pasojë e goditjes me telefon.
Nicolas, nga New Jersey, është arrestuar dhe akuzuar për sulm. Ai mund të dënohet deri në një vit paraburgim për veprën e kryer.
revista.one/