“Vajza u martua me dëshirë, ne i dhamë leje”, prindërit e 14-vjeçares: Lironi dhëndrin!
September 7, 2024Babai i 14-vjeçares që u bë nënë një ditë më parë, pas bashkëjetesës prej një viti me një 21-vjeçar, kërkon lirimin e dhëndrit të tij.
“Vajza është martuar me dëshirë, ne i kemi dhënë leje që e martova në Korçë se unë jam nga Elbasani. Dhëndri nuk e mori me zor. Pasi ka lindur goca, patëm probleme se më kanë marrë dhëndrin në polici. Vajza ka gati një vit e gjysmë martuar. Dua që dhëndri të lirohet një orë e më parë se ne jemi romë dhe raca rome martohen të vegjël. Ja ku i kam unë kam 6 fëmijë. Unë vajzën time e martova, por shteti që hyn në këtë punë është pa arsye. Unë i them shtetit që të më lirojë dhëndrin. Erdha nga Miloti me familjen, këtu e kam dhe gocën dhe i them shtetit të më lirojë dhëndrin”.
Flet Luljeta Jenuzi nëna e të miturës: E ka dashuruar vajza edhe ne kemi rënë dakord. Dua që dhëndri të dalë sa më shpejt. Ne kështu jemi martuar, të vogla. Edhe unë jam martuar 12 vjeç. Për ne nuk është problem mosha, ne në racën tonë martohemi të vogla. Vajzën tonë e kemi martuar me dëshirë. Ne jemi nga Elbasani dhe e kemi martuar vajzën në Korçë me dëshirë. Dua të dalë dhëndri sa më shpejt. Ai punon dhe mban nusen. Kur ka lindur është njoftuar policia për rastin. Në spital e ka shoqëruar vajzën bashkëshorti.
Edhe 14-vjeçarja, që solli në jetë një fëmijë, kërkon lirimin e partnerit të saj, me të cilin thotë se bashkëjeton prej një viti.
Sipas të miturës, ajo e ka njohur të dashurin një vit më parë dhe me dëshirën e saj, por edhe miratimin e prindërve, ka vendosur të jetojë me 21-vjeçarin. Në një intervistë për Top Channel, mes lotësh, 14-vjeçaja kërkon lirimin e babait të fëmijës, i cili u ndalua nga policia, me akuzën “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
“Kam një vit që njihem me bashkëshortin. Jemi njohur ne Elbasan. U thashë edhe prindërve të mi. Ata ranë dakord dhe kam një vit me të. Unë kam një fëmijë me të, përse ta arrestojnë. Ai s’më ka marrë me zor. Dua që të lirohet burri im, kush do më ushqejë mua po fëmijën tim?! Dua të ma lironi që sot. Unë s’kam si të jetoj, unë vetëm atë kam, një krah pune kisha. Punonte ai, që më sillte për të ngrënë më shtëpi. Punonte dy punë, edhe ditën, edhe natën për të më sjellë bukë në shtëpi. Dua të ma lirojnë. Më kanë ardhur mami me babin nga Miloti, unë s’kam dhënë asnjë deklaratë në polici, por që dje jam njoftuar për burrin që e kam në polici”, shprehet vajza.
Ajo lindi dje në martenitetin e qytetit Korçë, ndërsa pas deklarimeve të marra nga Specialistët për Hetimin e Krimit 21-vjeçari me inicialet D.K. pranoi që është babai i fëmijës.