Arbana Osmani fton Olta Gixharin dhe artistë të tjerë për xhirime në shtëpinë e saj në Bogë
November 1, 2024“Po përpiqem të bëj diçka që nuk kam bërë përpara, me gjithçka që kam bërë përpara. Pra, pak ‘Big ‘Brother, pak reality, pak ‘Dua të të bëj të lumtur’, pak ‘1001’ pse, pak muzikë, pak festival”.
Kështu deklaroi Arbana Osmani pak ditë më parë në një intervistë për programin “Oxygen” me moderatorin Besim Dina i cili na futi në ‘kurth’, duke prezantuar një promo ku bashkangjiste edhe zotimin e Arbanës se “do të jetë gazetarja më e mirë në Shqipëri”.
Arbana zgjodhi ta rrëzonte alibinë tonë dhe shumë mediave të tjera, duke sqaruar se ishim ne ata që e kishim sjellë të deformuar te publiku dhe jo mikpritësi i saj në program.
Ditët e fundit bashkë me partnerin e saj Eduart Grishaj, i cili ka qenë edhe regjisori i saj në projektet e sipërpërmendura, Arbana është zhvendosur në shtëpinë e tyre në Bogë, Malësi e Madhe.
Por kësaj here nuk janë vetëm ata të dy. Mysafirja e ditës së parë: Olta Gixhari. Një foto e shkrepur mes tyre, që aktorja vendosi ta ndajë në instagram bëri xhiron në rrjetet sociale. Ajo që kemi vënë re, është se në këtë udhëtim Arbana Osmani ka marrë me vete edhe make up artist-in e saj Arbër Bytyqi, i cili vitet e fundit është kujdesur për çdo dalje të saj në ekran.
Në backstage, dallohen kamera, shumë kamera! Një javë në set bashkë me personazhe të njohura mes të cilëve kemi arritur të dallojmë Klajdi Harunin, Anxhela Peristerin, ndoshta edhe Viola Spiron e cila ka pozuar me vajzën e vogël të artistit Haruni duke bashkangjitur edhe lokacionin, Bogë.
Mbase një program me shumë vipa brenda një shtëpie, i ngjan pak “Big Brother”, me shumë këngëtarë që bëjnë pak “Festival” për “Të bërë të lumtur” shumë njerëz.
Tani do na duhet të presim që vetë moderatorja të lançojë programin e saj, i cili nga treguesit e deritanishëm duket të jetë një produksion totalisht i saj, duke shkrirë bashkë eksperiencën e të gjitha viteve në ekran.
revista.one/