“Shohin ekonominë e mashkullit”, Egla Ceno: Banale kjo që bëjnë vajzat e sotme

“Shohin ekonominë e mashkullit”, Egla Ceno: Banale kjo që bëjnë vajzat e sotme

November 17, 2024 0

Egla Ceno flet për fenomenin e ditëve të sotme, të vajzave që zgjedhin të mos punojnë dhe që zgjedhin një mashkull për të mbuluar shpenzimet e tyre.

“Mjerë ajo gocë që shikon çfarë pozicioni, parash ka mashkulli. Mjerë, pasi jeta e saj nuk do jetë shumë e lumtur.  Martesa në thelb ka lindur si mënyrë shpëtimi i ekonomisë së mbretërive më parë. Sot, vajzat janë duke bërë diçka shumë banale me ekonominë e mashkullit. Janë duke shkuar në restorante luksoze. Janë në kërkim të një biznesi.”, tha Egla Ceno.

Duke folur për veten ajo u shpreh se Cekja ka bërë çmos që ajo të futej në teatrin e Beratit.

Pasi vdiq babi Cekja ka bërë çmos që unë të futesha në teatrin e Beratit si aktore për të ndihmuar me një rrogë në shtëpi. Aty jam ngjitur në skenë për herë të parë”, u shpreh Egla.

Përshëndetje Egla të uroj suksese kudo në jetë. Me babain e Eglës kam punuar në Poliçian dhe kam kujtime të bukura. Ne kemi punuar, kemi shkruar parodi, skeçe dhe ndaj kam kujtime shumë të bukura”, ka qenë ky mesazhi i Cekes për Egla Cenon.

Është kënaqësi e madhe të kesh njerëz që kanë punuar me babin dhe të kenë dy fjalë për mua. Ceke, të dua shumë dhe faleminderit! Do të takohemi në Berat.”, i tha Egla aktorit të njohur të humorit.

Ajo ka rrëfyer mes lotësh mallin për të atin, Agim Cenon, që u nda nga jeta disa vite më parë.

Në fjalët e saj, e përlotur, aktorja tregon lidhjen e fortë që ata kanë pasur dhe momentet e frikshme kur ai pësoi hemorragji cerebrale.

“Ka qenë një njeri gjakëmbël. Këtë nuk ma ka trashëguar për fat të keq. Mblidheshin pas tij shumë njerëz, kaçurrel si puna ime. Kisha një stol ku shihja filma dhe kur atij i mungonte asistenti, asistenti i tij isha unë, ngrija një pulsant dhe filmi nuk ndërpritej. 

Ecnim nga Poliçani deri në Peshtan te gjyshja, ecnim rreth dy orë larg në këmbë, mblidhnim lule, bënim kurora. Para pak ditën takova mamin andej dhe…(qan) më ka marrë malli. Ka vdekur aq veç sa jam unë sot.

Mami më thotë që duart i kam si babi dhe kaçurrelat. Jam krenare që i kam ngjarë. Sa kisha mbushur 18 vjeç kur ndërroi jetë. Më merrte kudo me vete, në kinostudio dhe dasma, në kinema sigurisht, në shfaqje…

Më dha atë që mund të më jepte, nëse më bie rasti trashëgoj një këshillë nga im atë që më thoshte ‘bëj çfarë të dojë zemra, por kur të ikësh mos të thonë ja kjo’ dhe një gjë tjetër që nuk e kam kuptuar deri vonë, më thoshte ‘çdo ves mund të falet, ama vjedhja është mama i gjithë veseve.

Unë isha gjimaziste, ai dilte çdo mëngjes pinte kafe te një lokal afër kinoteatrit. Dy raste më janë fiksuar në kokë me babin, ditën kur i ra hemorragjia cerebral kam kërkuar për të dalë jashtë nga ora e mësimit, ndenja ankth. U afrova te lokali dhe një shok i babit më merr dhe më afron te lokali ku ishte babi. Shoh tim atë që po pësonte hemorragjinë. Vjen ambulanca dhe e transferon në Berat, aty ka ndenjur 14 ditë.

Një natë para se të vdiste më përsëritej kjo gjendje. Ishte e vështirë dhe të lëvizje, të ishe femër mund edhe të grabiteshe. Gjetëm një makinë u nisëm dhe e kam takuar, nuk fliste ishte paralizuar gjysma e tij e djathtë. I thash se do të sjell dhe çunat, diçka u mundua të thoshte, por nuk e bëri dot. Ika në shtëpi atë mbrëmje dhe ditën tjetër e sollën pajetë.

Më ka ngelur peng që nuk arriti të jetojë. Unë e gëzoj çdo ditë, kam energji të madhe, e di që dhe ai do ishte kështu. Nuk mundi të bëjë shumë gjëra. Më vjen keq për të”, tha Egla në rrëfimin e saj.

revista.one/