“Nuk paguan pensionin ushqimor për djalin”, Jonida Maliqi padit ish-bashkëshortin pas divorcit
November 18, 2024Këngëtarja Jonida Maliqi i dha fund martesës me bashkëshortin biznesmen, rreth 8 vite më parë. Nga historia 17-vjeçare e dashurisë erdhi në jetë djali i çiftit, Dan. Por 8 vite pas ndarjes së bujshme, Jonida Maliqi i është rikthyer sërish Gjykatës së Tiranës.
Mësohet se artistja ka hedhur në gjyq ish-bashkëshortin pasi siç bën të ditur në kërkesëpadi, biznesmeni nuk paguan pensionin ushqimor për djalin, i cili ka nevoja për përkujdesje të veçanta për shkak të gjendjes shëndetësore.
Maliqi është paraqitur sot në Gjykatën e Tiranës e shoqëruar nga avokati i saj.
Jonida Maliqi thekson në kërkesën drejtuar Gjykatës se në zgjidhjen e martesës, është rënë dakord që ish-bashkëshorti të paguante një detyrim ushqimor për të birin në masën 2 mijë euro në muaj. Marrëveshje të cilës, ai, siç duket nuk i është përmbajtur.
Gjithashtu, në kërkesëpadi theksohet se kur ka ndodhur divorci ish-bashkëshorti ishte pronar ose bashkëpronar i shumë pasurive, sidomos të paluajtshme të ndodhura në shumë lokalitete të Shqipërisë, që mund të vlerësoheshin në masën 3-4 mln euro.
Mollë sherri mes ish-bashkëshortëve është bërë edhe apartamenti ku jeton Jonida Maliqi me Dan-in i cili si pronë rezulton “banesë bashkëshortore”, por siç thotë në kërkesëpadi këngëtarja, biznesmeni nuk respektoi as marrëveshjen për të blerë një apartament të ri për të dhe të birin.
revista.one/