“Beatles ’64”, Martin Scorsese arrin të pamundurën, i bën bitëlsat të mërzitshëm

“Beatles ’64”, Martin Scorsese arrin të pamundurën, i bën bitëlsat të mërzitshëm

December 3, 2024 0

 Neil McCormick / The Daily Telegraph

Me dokumentarin e tij të ri dhe të shumëpërfolur për rokun, në Disney+, regjisori i madh Martin Scorsese ka bërë diçka që pakkush do ta kishte besuar si të mundshme: i ka bërë bitëlsat të mërzitshëm.

Ka një moment domethënës në film, kur Paul McCartney 21-vjeçar dhe i zbehtë intervistohet nga një gazetar me parime etike, i cili e pyet se çfarë ndikimi mendon se do të ketë grupi Beatles në histori dhe kulturë. McCartney duket plotësisht i hutuar. “Kulturë? Nuk është kulturë! Është për zbavitje”!

Epo, ka shumë kulturë në dokumentarin e Scorseseit, por jo shumë zbavitje.

Gazetari ishte në rrugën e duhur, sigurisht, dhe 60 vjet më vonë, McCartney i thinjur dhe me mjekër të shkurtër është më në gjendje të diskutojë për ndikimin historik dhe kulturor të grupit të tij, teksa drejton një ekip xhirimi drejt një ekspozite të fotografive të tij nga vizita e parë e grupit në Amerikë. “Ishte menjëherë pas vrasjes së Kennedyt; ndoshta Amerika kishte nevojë për diçka si Beatles, për ta nxjerrë nga zia dhe për t’i thënë se jeta vazhdon”.

Me Scorsesein si producent dhe me regji nga bashkëpunëtori i tij i vjetër, David Tedeschi (i cili ka punuar si montazher në dokumentarët shumë më të mirë të Scorseseit për Bob Dylanin dhe George Harrisonin), Beatles ’64 është një ese shumë serioz kinematografik. Ai është i mbushur deri në fund me pamje të njohura dhe të ripërdorura nga lajmet dhe televizioni, të ndërthurura me intervista të figurave të moshuara që japin mendime për ndryshimet e gjeneratave në politikë, feminizëm dhe marrëdhënie racore – tema që kushdo që është i interesuar për to, i ka dëgjuar një milion herë më parë. Një film për grupin Beatles që hapet me dy minuta të fjalimeve të presidentit Kennedy, ndërsa ylli i popit Billie Eilish këndon një version të zymtë të All My Loving, që në fillim ka një vetëbesim të tepruar.

Filmi gjallërohet kryesisht nga xhirimet në shiritin 16-milimetërsh, të filmuara nga Albert dhe David Maysles për dokumentarin e tyre të asaj kohe, What’s Happening: The Beatles in the USA. Pamjet janë përmirësuar në aspektin zanor dhe vizual përmes teknikave të zhvilluara për dokumentarin madhështor të Peter Jacksonit, Get Back (2021), por nuk jam i bindur se rikontekstualizimi i tyre përmirëson origjinalin. Njeriu pyet veten pse Disney dhe Apple nuk vendosën thjesht të restauronin dhe të zgjeronin atë dokumentar, i cili u publikua për herë të fundit në vitin 1991 si The First US Visit dhe aktualisht nuk është i qasshëm për transmetim.

Është kënaqësi e madhe të rishikosh pamjet e njohura të Katërshes Fantastike duke bërë humor para kamerave, duke përdorur zëra qesharakë ose duke bërë shaka mes vete, pothuajse të pandikuar nga kaosi mediatik përreth. Por, kjo hare ndërpritet dhe bie vazhdimisht në hije nga shfaqjet e vjetra televizive ku feministet shpjegojnë se bitëlsat përfaqësojnë një model të ri të burrërisë, ose nga Marshall McLuhani që ligjëron për ndikimin e teknologjisë së komunikimit në epokën moderne të medias.

Get Back i Jacksonit riktheu bitëlsat në gjallërinë që i bëri ata të ndiheshin bashkëkohorë – një realitet që përputhet me përvojën tonë të muzikës së tyre, e cila refuzon të zbehet nga kolona zanore e kohës sonë. Ndërkohë, fokusi i Beatles ’64 në pamjet e vjetra bardhezi dhe subjektet e moshuara që kujtojnë me emocione rininë e tyre, e kthen grupin në një fenomen të së kaluarës së largët, në krijesa arkaike të një bote të humbur.

Por, kjo nuk e kap plotësisht veçorinë e kontrastit. Ja ku janë John, Paul, George dhe Ringo, me flokët karakteristikë mop-top, kostume të errëta, këmisha të bardha dhe kravatat, duke tymosur pandërprerë dhe duke kaluar përmes kaosit të adhuruesve histerikë dhe vëmendjes pompoze të mediave. Ka momente të një pafajësie mahnitëse, si shprehja e gëzimit fëmijëror në fytyrën e John Lennonit kur vendos kufjet dhe qesh duke thënë: “Mund të dëgjosh zërin tënd duke folur”!

Megjithatë, disi, Beatles nuk duken vërtet të rinj, ndoshta sepse personalitetet e tyre janë aq të rrënjosura në kulturën popullore, sa kanë fituar një aurë të përjetshme. Fjalë për fjalë, në rastin e Ringos, i cili shfaqet në intervista si 84-vjeçar, ai dukej më mirë se në kulmin e karrierës së tij: plot vitalitet dhe duke shfaqur të njëjtin humor. Ai lexon një recension të Newsweek-ut të vitit 1964, që i përshkruan bitëlsat si një “makth” me “kostume të ngushta, të zbukuruara në stilin eduardian të bitnikëve” dhe flokë si “tasë të mëdhenj pudingu” që luajnë muzikën që “heq dorë nga ritmet dytësore, harmonia dhe melodia”.

Ashtu si në filmin origjinal të vëllezërve Maysles, rojet e vetëemëruara mashkullore të standardeve morale dhe kulturore duken qesharake, ndërsa energjia, sharmi dhe fryma e adhuruesve të rinj (kryesisht vajza) të bitëlsave shfaqen si një reagim krejtësisht i arsyeshëm ndaj ardhjes së një epoke të re. Në fund, vajzat që bërtisnin ishin në anën e drejtë të historisë, ndërsa kritikët që përçmonin arritjet muzikore të grupit janë harruar. Në një intervistë nga vitet ’90 të shekullit XX (e ripërdorur nga seria Beatles Anthology, e cila me të drejtë ka nevojë për një përditësim), George Harrison vëren: “Ne ishim disi normalë dhe pjesa tjetër e botës ishte e çmendur. Kështu më dukej mua”. Është përshtypja që filmi përfundimisht e forcon – një kuartet simpatik, me talent dhe arketip modern, që pluskon në keqkuptime në një moment të çmendur të historisë.

Nëse kërkojmë një koment kulturor mbi ndikimin e bitëlsave, pak prej intervistave mund të krahasohen me thellësinë dhe artikulimin e vetë Lennonit në intervistat nga vitet ’70 të shekullit XX. Ai shpjegon teorinë se shpërthimi muzikor britanik i viteve ’60 të shekullit XX ishte produkt i një “vakumi” të krijuar nga përfundimi i rekrutimit ushtarak. “Ne ishim ushtria që nuk ekzistonte. Dhe, muzika doli nga kjo”. Lennon këmbëngul se bitëslat nuk udhëhoqën ndryshimin, por ishin pjesë e tij. “Përfytyrimi im tani është se ishte një anije që po zbulonte botën e re, dhe bitëlsat ishin në pikën më të lartë të saj, dhe ne vetëm thamë: ‘Toka përpara’”!

Ka një moment interesant kur McCartney 82-vjeçar kujton trajtimin fyes gjatë një pritjeje në Ambasadën e Britanisë në Uashington. “Disi, ishim mësuar me këtë”, thotë ai duke ngritur supet. “Jemi djem të klasës punëtore, dhe kur përballesh me aristokratë, mendon se do të të shohin me përbuzje”. Por, papritmas ngrihet, sikur të nxitej nga një energji hakmarrëse. “Nuk na plaste fare!” – thotë me nervozizëm. “Ata punonin në një Ambasadë, ne ishim në turne duke bërë rok”!

Beatles ’64 aspiron të trajtojë këtë përplasje kulturore, por dështon të sjellë energjinë e papërmbajtur dhe sfiduese që përfaqësonin bitëlsat, ndoshta për shkak të kufizimeve të pamjeve burimore dhe formatit të intervistave. Filmi gjallërohet vetëm kur bitëlsat janë në ekran. Duket sikur një film më i mirë ekziston brenda këtij dhe po lufton për t’u shfaqur. Ndoshta është pikërisht filmi origjinal i vëllezërve Maysles.

revista.one/