“Doja t’ia bëja si në mesjetë”/ Laert Vasili tregon momentin kur pas shumë vitesh gjeti personin që e abuzoi

“Doja t’ia bëja si në mesjetë”/ Laert Vasili tregon momentin kur pas shumë vitesh gjeti personin që e abuzoi

June 9, 2025 0

Jeta e Laert Vasili i përngjan një filmi, me rrëfime të forta dhe tronditëse për të shkuarën, por me ngjyra të bukura në të tashmen… e veçanërisht në aspektin romantik.

Në një intervistë në “S’e luan Topi” aktori ka pranuar se është në një njohje me një vajzë, që tha se i përket botës së showbizit dhe është e njohur, por specifikoi se nuk është Valbona Mhilli, me të cilën pati një ‘flirt’ në Big Brother.

“Jam në njohje me një vajzë… dhe jo, nuk është Valbona. Kur dola nga Bigu, nuk e dija, por kur mora telefonin dhe pashë… thashë ‘pse s’më ndodhi në 31 vjeç’? Pashë atë që tha Ledioni ‘është beqari më i kërkuar’. Instagrami është flakë, edhe tani po ta tregoj janë gjithë kohës duke më shkruar.

Vajzën që po njoh, nuk e kam njohur prej rrjeteve sociale, është dikush më ka tërhequr vëmendjen dhe kam dalë disa herë. Vajza nuk është dhe aq e thjeshtë, i përket botës së të famshmëve. Është e njohur. Që unë e pëlqej atë, ia kam lënë që ta kuptojë”, u shpreh Vasili.

Gjatë rrëfimeve të tij për të shkuarën dhe jetën në kohën e diktaturës ai ka bërë një deklaratë tronditëse. Ai tha se motra e tij ka ndërruar jetë 6 muajshe (ishte fëmija i parë i prindërve të tij, para se të lindte ai) pasi i kanë marrë më shumë gjak gjatë analizave, gjak të cilin ai tha se e përdorte diktatori Enver Hoxha për rigjenerimin e gjakut të tij.

Ai tha se kjo histori ka ndodhur me shumë fëmijë, jo vetëm me motrën e tij, por askush nuk flet. Ai tha se nëna e tij kur ishte shtatzënë me të, iku në Delvinë pasi kishte frikë që fëmijën ta lindte në Tiranë.

“E dinë të gjithë çfarë ndodhte nëpër gjiret e fshehta të Liqenit Artificial, por nuk ka pasur guximin kush ta thotë.

Vdes diktatori, Shqipëria mbushet me radhë të pafundme njerëzish që qajnë me oi…  ti mund të qeshësh me zor, me zor nuk qanë dot. Dy milionë e gjysmë shqiptarë kanë qarë me oi..

Merrej gjaku nga foshnjët dhe i rigjenerohej gjaku diktatorit, kështu humbi jetën ime motër, 6 muajshe. Kur i çoje fëmijët për analiza u merrnin më shumë gjak dhe nuk kuptoje, ndaj dhe nëna shkoi në Delvinë dhe më lindi atje, sepse atje ishte e sigurtë. Nuk flet njeri për këtë. Për sa janë nën dhe te Mali me Gropa…. nuk flet akoma njeri për dosjet, e kupton çfarë hipokrizie?”, tha aktori.

Ai u ndal dhe tek deklarata që bëri gjatë kohës kur ishte në Big Brother, kur tregoi se në moshë të vogël një fqinj e ka abuzuar seksualisht.

Ai tha se vendosi të flasë për këtë ngjarje, sepse ajo kohë e errët e atyre viteve fsheh kaq shumë ngjarje të rënda, por që sipas tij askush nuk zgjedh që t’i tregojë dhe t’i bërtasë me zë të lartë.

Ai tregoi edhe momentin kur shumë vite më vonë, e gjeti dhe iu ul përballë….

“Më dhemb ai fëmija atëherë, por jo unë tani. E kam gjetur personin, kam shkuar në një kafe përballë dhe rrija e shihja një orë e gjysmë. Doja ta vrisja, por nuk e bëra. Nuk doja ta denoncoja, doja ta vrisja. Ose atë që u bënin në mesjetë…”, tha ai.

revista.one/