Dua Lipa këndon në shqip këngën “Era” me babain e saj Dukagjinin në ‘Sunny Hill’

Dua Lipa këndon në shqip këngën “Era” me babain e saj Dukagjinin në ‘Sunny Hill’

August 2, 2025 0

Në një nga momentet më prekëse dhe të paharrueshme të edicionit të pestë të “Sunny Hill Festival”, Dua Lipa befasoi publikun duke ftuar në skenë babain e saj, Dukagjin Lipa, për të kënduar bashkë në shqip.

Ishte një çast emocional që rrëmbeu zemrat e mijëra të pranishmëve në Prishtinë dhe theksoi lidhjen e veçantë mes artistes dhe rrënjëve të saj.

Teksa po zhvillohej performanca e saj spektakolare, Dua ndali muzikën për një moment dhe iu drejtua publikut me këto fjalë: “Sonte dua ta ftoj në skenë një person i cili më ka inspiruar gjithë jetën. Ai është babai im, Dukagjin Lipa!”.

Mes duartrokitjeve dhe entuziazmit të madh, Dukagjini iu bashkua vajzës së tij në skenë dhe të dy kënduan në duet këngën e njohur “Era” nga grupi legjendar shqiptar i muzikës rock, “Gjurmët”.

Ishte një performancë autentike dhe plot ndjenjë, që ngjalli emocione të mëdha tek publiku. Zëri i Duas në shqip u prit me brohoritje dhe ovacione, ndërsa të gjithë të pranishmit këndonin bashkë me ta, duke krijuar një atmosferë të papërsëritshme.

Dukagjin Lipa, përveçse si organizator i festivalit, është edhe menaxher i Duas dhe njihet si krahu i saj i djathtë në rrugëtimin e saj për t’u bërë një yll botëror i muzikës. 

Dua Lipa, e cila prej vitesh dominon skenën muzikore globale, solli në Prishtinë një shfaqje energjike dhe të kuruar deri në detaje. Ajo interpretoi këngë nga albumi i saj më i fundit Radical Optimism, si dhe disa nga hitet më të mëdha të dy albumeve të saj paraprake.

Performanca e saj u shoqërua me koreografi të fuqishme dhe një skenografi moderne që krijuan një përvojë vizuale dhe muzikore të paharrueshme për publikun.

Gjatë shfaqjes, Dua u shfaq me tri veshje të ndryshme skenike, secila më ikonike se tjetra, duke reflektuar stilin e saj unik dhe të guximshëm. Bashkë me balerinët dhe ekipin e saj, ajo solli një performancë të sinkronizuar në mënyrë perfekte.

Kjo ishte hera e katërt që Dua Lipa performoi në Prishtinë, pas debutimit të saj më 2018 në “Sunny Hill Festival”, rikthimit në vitin 2022, koncertit të vitit 2026, dhe tashmë edhe në vitin 2025. Çdo rikthim i saj në vendlindje përbën një moment të veçantë për fansat dhe për qytetin, që e mirëpret gjithmonë me dashuri të madhe.

Në një moment të veçantë gjatë natës së parë të “Sunny Hill Festival 2025”, ylli ndërkombëtar Dua Lipa u ndal për t’i drejtuar një fjalim të sinqertë dhe emocional publikut në gjuhën shqipe, duke falënderuar të gjithë ata që qëndrojnë pas suksesit të saj dhe të festivalit.

Teksa qëndronte në skenën madhështore të Prishtinës, Dua tha me zë të qartë e plot emocion: “Faleminderit shumë për energjinë, dashurinë edhe suportin për mua prej fillimit deri në këtë moment, edhe për suportin e festivalit Sunny Hill që e kom shumë shumë për zemër”.

Ajo theksoi se për të është një kënaqësi e madhe që ka mundësinë të krijojë një festival të tillë bashkë me familjen e saj, në vendin e saj të origjinës: “Është shumë kënaqësi me pas mundësinë me kriju një festival me familjen teme për vendin tonë. Tash na bohen gjashtë edicione të mira me festivalin, edhe viti i dytë këtu në side të ri, edhe më duket se për çdo vit po bëhet më mirë”.

Në vazhdim, Dua ndau falënderime të veçanta për të gjithë ata që qëndrojnë pas skenës dhe punojnë pa ndalur për realizimin e këtij festivali: “Para se të vazhdoj në pjesën tjetër, dua ta falënderoj shumë familjen time dhe krejt Agjencioni ‘Republika’ për punën e palodhshme edhe organizimin e gjatë të festivalit, sepse me të vërtetë pa ata nuk kemi festival hiç. Po ashtu edhe pa juve, shokëve tanë që vini e na suportoni festivalin, nuk mundemi pa juve”.

Ajo e mbylli fjalimin me një mesazh krenarie dhe dashurie për vendin: “Kosova ka lezet edhe kështu i tregojmë krejt botës”.

Fjalimi i Duas u prit me duartrokitje të fuqishme dhe brohoritje nga publiku.

revista.one/