Mbyllet spitali “Sante Plus”, konsulli turk dhe aksionerja shqiptare në kërkim për evazion 1 milion euro

Mbyllet spitali “Sante Plus”, konsulli turk dhe aksionerja shqiptare në kërkim për evazion 1 milion euro

September 4, 2025 0

 Antikrimi ekonomik i policisë së Tiranës nisi të vëzhgojë për disa muaj klinikën e ndërhyrjeve estetike në kryeqytet “International Medicare”. Zbulimi i parë që e çoi policinë në dyert e klinikës private, pjesë e “Sante Plus Group”, ishte mosdeklarimi real i fitimeve prej më shumë se 1 viti, në vlerën e 1 milionë eurove. Të paktën 100 blloqe me mandate të pa fiskalizuara u gjetën në klinikë.

Nga hetimet, u zbulua më tej, se në këtë klinikë, shërbimet spitalore kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim, të skaduara dhe kontrabandë. U sekuestruan 27 lloje medikamentesh që përdoren për ndërhyrje fillerash, botoksi dhe mbjellje flokësh. 5 punonjës rezultonin të pa siguruar.

Klinika “International Medicare” u bllokua. Por dikush është kujdesur që për të fshehur tek klientët gjurmët e bllokimit nga policia, të vendosë një tabelë në hyrje ku shkruhet: Spitali është në rikonstruksion dhe një numër telefoni, ndoshta për të pritur rezervime.

Gjatë operacionit, i vetmi që u arrestua ishte administratori Edmond Zaja, 62 vjeç, ndërsa në kërkim u shpallën 2 bashkë-aksionerët, turku Bilal Kara, 45 vjeç, me një karrierë të gjatë në fushën e ndërhyrjeve estetike, konsull turk në Maqedoninë e Veriut, si dhe Geriana Arapi, 32 vjeçe. Të dy bashkë-aksionerët, sipas burimeve pranë Policisë së Tiranës, aktualisht rezultojnë jashtë territorit të vendit ndërsa në vijim, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar pritet lokalizimi dhe arrestimi i tyre.

Turku Bilal Kara rezulton të jetë Konsull Nderi i Maqedonisë së Veriut në Izmir (Turqi). Ai është zgjedhur si Konsull Nderi 2 vite më parë, me firmën e Bujar Osmanit, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut në atë kohë. Bilal Kara është njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Biznesit Turqi-Maqedoni e Veriut në Këshillin për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë (DEIK) që nga viti 2018. Po kështu, Bilal Kara rezulton të jetë anëtar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi.

“Gjatë operacionit “Bilanci”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan administratorin e spitalit, shtetasin E. Z., 62 vjeç, si dhe shpallën në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasin turk B. K., 45 vjeç dhe shtetasen shqiptare G. A., 32 vjeçe.

Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro. Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas”, njoftoi Policia e Tiranës.

Nga ky operacion, përveç bllokimit të aktivitetit dhe zbardhjes së skandalit të përdorimit të medikamenteve të rrezikshme, si prova materiale u sekuestruan dhe 6 kompjuterë, të cilët do të ekspertohen për thellim të hetimeve.

Por çfarë janë medikamentet e rrezikshme të gjetura në klinikë?

Rifocin 250 mg, i skaduar që prej majit të këtij viti, përdoret për infeksione të rënda bakteriale. Një pjesë e mirë e medikamenteve të tjera rezultojnë të skaduara që në vitin 2023 sic është “Gadovist” që përdoreshin kryesisht për injeksione, ndërhyrje apo anesetezi. Të tjera medikamente, të cilat tashmë janë sekuestruar po ashtu rezultojnë ta kenë kaluar datën e skadencës.

Ndërkohë, klinika reklamonte në rrjetet sociale një sërë shërbimesh që ofronin, duke nisur filleri i buzëve, transplanti i flokëve 980 euro, e shumë ndërhyrje të tjera estetike.

revista.one/