Me biçikletë nëpër botë, historia e një familjeje shqiptare

Me biçikletë nëpër botë, historia e një familjeje shqiptare

September 12, 2025 0

Në një botë ku shumica matin suksesin me numrin e metrave katrorë të shtëpisë apo makinës së fundit në modë, një familje shqiptare ka zgjedhur një tjetër rrugë! Ata nuk kanë një adresë të përhershme, nuk ndjekin orare strikte dhe nuk e matin jetën me ditë pune e fundjava. Përkundrazi, ata matin kilometrat… me biçikletë.

Po, e lexuat mirë. Pas katër vitesh udhëtime me makinë, varkë dhe aeroplan, familja Voko vendosi të ndryshojë ritmin dhe mënyrën  e jetesës. Tani eksplorojnë botën me biçikletë. Me dy fëmijë të vegjël, çadra, shumë kuriozitet dhe një shpirt të pangopur për aventura, ata kanë kaluar rreth 500 qytete në Europë, dhe nuk janë ndalur as në Amerikë, Azi apo Afrikë. Për ta, udhëtimi nuk është më thjesht një destinacion, por vetë mënyra e të jetuarit.

Në një intervistë për emisionin “Rudina”, Florian Voko rrëfen momentin kur vendosën ta përmbysnin jetën “normale” dhe të ndërtonin një realitet ku fëmijët rriten jo pas ekranit, por përballë botës reale duke e parë, ndjerë dhe përjetuar. Dhe gjithçka, nga një pedalim në tjetrin.

Rudina Magjistari: Pse keni zgjedhur që të bëni udhëtime të tilla? Kur ka qenë ai momenti që ju vendosët, e nisët kështu edhe cili ka qenë udhëtimi i parë me biçikletë që keni realizuar të gjithë si familje.

Florian Voko: Tek udhëtimet me biçikletë jemi pak të rinj në fakt, nuk kemi shumë kohë që udhëtojmë. Por, kemi katër vjet që udhëtojmë me makinë, me mjete të ndryshme, me varka. Kemi vajtur në shumë vende. Besoj vajza që kur ka lindur 30-40 ditë mund të ketë kaluar.

Rudina Magjistari: E gjithë pjesa tjetër në udhëtim.

Florian Voko: Po, ose në kamper , në anije, ose në trena, duke udhëtuar nëpër shumë vende. Ne duke qenë se mundësinë që tek puna nuk jemi të detyruar që të paraqitemi diku vendosëm që të bëjmë këtë mënyrë jetë. Jo vetëm për fëmijët, por edhe për veten. Mjafton që të udhëtojmë edhe nuk ka rëndësi se me çfarë lloj mënyre. Udhëtimet janë pika jonë kryesore. Tani që fëmijët janë rritur pak kemi menduar që ta bëjmë pak më sfiduese udhëtimin, të lëvizim me biçikletë. 90% të gjithë kësaj e kemi bërë për fëmijët më shumë, që t’u tregojmë botën jo vetëm me fjalë, por duke ua treguar live që t’i shikojnë gjërat.

Rudina Magjistari: Shikojmë që kur udhëtoni dhe u zë nata, keni çadra, pra përshtateni gjithmonë me një jetë kaq të thjeshtë dhe të bukura. /tvklan