“Nuk njohin të vërtetën tonë”, partnerja e re e Princ Lekës reagon për herë të parë

“Nuk njohin të vërtetën tonë”, partnerja e re e Princ Lekës reagon për herë të parë

September 25, 2025 0

Ditën e djeshme, moderatorja e njohur Arbana Osmani njoftoi se puntata e parë e sezonit të ri të emisionit të saj do të kishte të ftuar Princ Lekën, i shoqëruar nga partnerja e tij e re, Blerta Celibashi.

Ky lajm shkaktoi menjëherë reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përveç interesit të madh, nuk munguan as kritikat dhe komentet negative. Një pjesë e ndjekësve shprehën pakënaqësinë e tyre për ftesën e Princ Lekës, duke argumentuar se Arbana nuk duhej ta ftonte për shkak të situatës së bujshme dhe ndarjes së tij me ish-partneren, Elia Zaharia.

Debati i krijuar ka hapur diskutime të gjera, duke ndarë opinionet mes atyre që e shohin praninë e tij si një të drejtë personale për të folur hapur, dhe atyre që mendojnë se pjesëmarrja e tij nuk ishte e nevojshme.

Në mesin e gjithë këtyre reagimeve, është vetë Blerta Celibashi ajo që ka vendosur të thyejë heshtjen. Përmes një postimi në Instagram, ajo ka theksuar se jo çdo histori që diskutohet në portale përfaqëson realitetin e asaj që jetojnë ata:

“Titujt e nxituar flasin shumë, por nuk njohin të vërtetën tonë, atë që ruhet me dinjitet dhe që askush nuk mund ta bëjë pis,” shkroi ajo.

Blerta ka shtuar se në puntatën e Arbanës, do të ndajë për herë të parë një rrëfim të ndjerë mbi dashurinë e saj me Princ Lekën, duke zbuluar atë që deri tani ka mbetur i pathënë për publikun.

Belrta ka rrëfyer vështirësitë psikologjike që ka kaluar, si dhe thashethemet që e përfshinë në një histori që, sipas saj, nuk kishte asnjë lidhje me realitetin.

“Ka qenë e vështirë të menaxhoj aspektin psikologjik. Ishte shumë e vështirë për mua që të përfshihesha në një telenovelë ku nuk e gjeja aspak veten në personazhin që më kishin vendosur. Ndihem shumë e prekur dhe e indinjuar me të gjitha shkrimet e pavërteta, ka qenë shumë e vështirë. Aktualisht jemi në një moment paqeje, sigurisht që ndjej ngarkesë të madhe psikologjike kur flas për atë kohë, por mendoj që tani jemi mirë”, tha ajo.

Celibashi e bëri të qartë se nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie shoqërore me Elia Zaharinë, duke e cilësuar si një trillim mediatik që synonte të krijonte klikueshmëri.

“Në mënyrë kategorike nuk kam qenë asnjëherë shoqe me Elian. E di që ky është një nga ato elementët që e krijojnë telenovelën më interesante, por është shumë abuzive që kanë shpifur deri në këtë pikë. Kjo është e vërteta ime”, u shpreh ajo.

Sipas saj, raporti me familjen mbretërore ka qenë gjithmonë profesional. “Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë profesionale. Unë kam shumë klientë, jo me të gjithë mund të jem shoqe ose shokë. Fotot kanë qenë pjesë e punës dhe marrëdhëniet gjithmonë korrekte, formale. Asnjëherë nuk e kam menduar që mund të ngrihej një fabul e tillë”, përfundoi Celibashi.

Princ Leka ka folur hapur për divorcin e tij me Elia Zaharinë dhe për sherrin e dhunshëm mes tyre, i bërë publik nga një video e filmuar prej vetë tij.

Sipas tij, ndarja ka ardhur në disa faza: fillimisht ajo emocionale, më pas distancimi dhe në fund divorci. “Kemi pasur një raport korrekt. Ndarja ka ardhur me fazë të ndryshme, ka qenë ajo faza emocionale, distancimi, kemi jetuar në një shtëpi, por të distancuar, kam qëndruar vetëm me vajzën, por nuk kishim kontakt, as fizik. Herë pas here kemi qenë për mediat, foto, një kartolinë e bukur, por krejtësisht falso. Ka qenë faza ligjore,” tha ai në “Mirëmbrëma Yje”.

Ai shtoi se mes tij dhe Elias nuk ka pasur tradhti: “Me të gjithë këto strese, edhe Blerta ka qenë viktimë e të gjitha sulmeve, narrativeve që nuk ishin reale. Nuk ka pasur tradhti. Personi i parë që unë kam njoftuar për lidhjen time me Blertën, ka qenë pikërisht Elia. I kam thënë Elias para se të përqafohesha me Blertë, që jam takuar me Blertën.”

Sa i përket videos së publikuar, Leka u shpreh i penduar që e dorëzoi në polici: “E pranoj që gabova, nuk duhet të kisha dhënë asnjëherë videon, ta mbaja për gjyqin sepse ishte një goditje e drejtpërdrejtë. Ne kemi përjetuar një sulm. Ishte një sulm mediatik, një sulm ligjor… Pastaj si janë trajtuar filmimet dhe kanë dalë në publik, jam ndjerë i tradhtuar nga ata që kanë publikuar.”

Duke folur për presionet, ai theksoi: “Kemi pasur probleme me Policinë, sekuestrimin e telefonit nga Prokuroria e Tiranës, ka pasur një presion të jashtëzakonshëm nga instrumente të ndryshme… Kemi kaluar rreth 8-9 muaj vetëm duke pilotuar, duke rënë dakord te marrëveshja, duke siguruar që vajza, Geraldina, të jetë mirë. Kishim firmosur të gjithë dokumentet, pa konflikte, as për pronat nuk ka pasur. Më pas erdhi situata e marsit, që ka dëmtuar imazhin.”

Për videon, ai shtoi: “Shkova për të takuar vajzën, pastaj situata doli jashtë kontrollit. Kur filloi acarimi, i thashë administratorit të oborrit, ju lutem largoni vajzën menjëherë që të qetësohej situata. Vajza ishte duke u larguar. Shyqyr që vajza ishte mirë. Unë e di që janë bërë fushata për ish-bashkëshorten time, por ka vetëm një viktimë në këtë mes, dhe ajo është Geraldina. Është një vajzë e mrekullueshme… Kam dëgjuar edhe në gjykatë narrativa të ndryshme, nuk ka asnjë provë që unë kam qenë i dhunshëm, nuk ka pasur dhunë. Nuk e kam dhunuar Elian, asnjëherë. Nuk është e lehtë për t’u larguar nga shtëpia ime.”

Ai shpjegoi pse vendosi ta filmonte ngjarjen: “Jam ndjerë në një situatë që më mirë të kem një filmim, se kisha frikë se mos ishte një situatë e sajuar. Hapa kamerën, ka qenë këshillë që kam marrë edhe nga këshilltarët. Kur kam qenë në sulm, nuk e kam hapur dot. Pastaj si janë trajtuar filmimet dhe kanë dalë në publik, jam ndjerë i tradhtuar nga ata që kanë publikuar. Ata që ua kam besuar këtë filmim. Nëse nuk do e kisha filmuar, mund edhe të kisha humbur lirinë, nuk e di si do kishte ndodhur.”

revista.one/