Aksident tragjik në Pejë, humb jetën vëllai i Gjestit, pamje nga vendngjarja
September 26, 2025Një aksident fatal ka ndodhur sot (e premte) në Qungur të Pejës. Sipas mediave në Kosovë, viktima e aksidentit tragjik është Eldion Kelmendi, vëllai i reperit të njohur Besart Kelmendi – Gjesti, njëherësh fitues i edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania.
Aksidenti ndodhi rreth orës 14:00, kur një veturë u përplas me një katërçikletë, duke lënë një person të vdekur dhe një tjetër të lënduar rëndë. Burimet bëjnë me dije se i lënduari, me inicialet K.B, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është duke u operuar në spitalin e Pejës.
Zëdhënësi për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, kishte konfirmuar më herët aksidentin, duke thënë: “Rreth orës 14:00, në fshatin Qungur të komunës së Pejës ka ndodhur një aksident mes një veture dhe një katërçiklete. Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e një personi në vendin e ngjarjes dhe lëndimin e rëndë të një tjetër, i cili është dërguar me urgjencë në QKUK”.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitet dhe te fansat e reperit Gjesti, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë.

revista.one/