Tragjedia në familjen e Gjestit, ekipi i tij njofton për ceremoninë, policia jep versionin e fundit
September 27, 2025Një tragjedi e rëndë ka goditur familjen e reperit të njohur Gjesti. Vëllai i tij, Eldion Kelmendi, ka ndërruar jetë ditën e djeshme pas një aksidenti me motor në fshatin Treboviq të Pejës. Lajmi ka tronditur komunitetin artistik dhe publikun, të cilët kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet e tyre për humbjen e parakohshme të tij.
Ekipi i Gjestit ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se ceremonia e varrimit do të mbahet sot, më 27 shtator, në ora 17:00, në varrezat e fshatit Pavlan të Pejës. Në postimin e shpërndarë në Instagram, thuhet: “Jemi pranë familjes në këtë moment të rëndë dhe ju ftojmë ta kujtojmë me respekt e lutje.”
Ndërsa Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me aksidentin e rëndë me fatalitet që ndodhi të premten në Pejë, ku humbi jetën i mituri Eldion Kelmendi, vëllai i reperit të njohur shqiptar Besart Kelmendi – i njohur me emrin artistik Gjesti.
Sipas komunikatës së publikuar nga Policia në rrjetin social Facebook, ngjarja ndodhi më 26 shtator 2025, rreth orës 14:05, në fshatin Treboviq të Pejës. Në aksident ishin të përfshira një veturë dhe një motoçikletë.
“Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur pasi drejtuesi i motoçikletës, në një kthesë, humbi kontrollin dhe kaloi në shiritin e kundërt të rrugës, ku u përplas me veturën që po lëvizte në drejtim të kundërt”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Si pasojë e goditjes, një person ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa një person tjetër është lënduar rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Pejës, ku po trajtohet.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
revista.one/