I kujt ishte ‘Lamborghini Urus’ 160 mijë euro që u sekuestrua sot në Tiranë?
October 1, 2025Një mjet superluksoz, ‘Lamborghini Urus’ që qarkullonte nëpër rrugët e Tiranës është sekuestruar pas një operacioni të finalizuar nga blutë e Tiranës në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin dhe Pastrimit të Parave. Mjeti, me ngjyrë portokalli, kap një vlerë të majme prej 160 mijë erosh dhe dyshohet se pronari e ka përfituar nga veprimtaria kriminale.
Pronari, Sahit Shpataj 34-vjeçar, ishte duke qarkulluar me mjetin luksoz në aksin rrugor “Sauk-TEG”, kur policia finalizoi operacionin “Manovra” dhe e ndaloi të riun për t’i komunikuar vendimin e sekuestros. 34-vjeçari Sahit Shpataj, për të fshehur të ardhurat e tij që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale, kishte regjistruar mjetin luksoz në emër të një kompanie private ndërtimi në pronësi të Ervin Dullës.
Sahit Shpataj, i cili jeton përgjithësisht në Amerikën Latine, ka refuzuar ti ndalojë dy herë policisë për kontroll. Por së fundmi blutë pasi e kanë ndaluar kanë konstatuar se Lamborgini ishte i regjistruar në emër të kompanisë private. Sipas policisë kjo është bërë për të justifikuar vlerën dhe origjinën e parave. Blutë kanë nisur hetimin jo vetëm për poseduesin e mjetit, por edhe pronarin e kompanisë që kishte regjistruar mjetin sikur të ishte në përdorim të biznesit që ai zotëronte.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Manovra”, me objektiv gjurmimin e aseteve të përfituara nga krimet.
Sekuestrohet automjeti “Lamborghini Urus” i një 34-vjeçari me precedent për disa vepra penale, ndër to, vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore.
34-vjeçari dyshohet se e kishte regjistruar automjetin me vlerë rreth 160 000 euro, në emër të një kompanie, për të shmangur gjurmimin dhe për të justifikuar vlerën.
Vihen në hetim 34-vjeçari dhe pronari i kompanisë.
Në vijim të operacioneve policore që kanë qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Manovra”.
Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij.
Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas.
Vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
revista.one/