Vritet në sallën e gjyqit gjyqtari i Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja! Plumbat kapin edhe babë e bir!
October 6, 2025Tirana u trondit pasditen e sotme nga vrasja e një gjyqtari brenda sallës së gjyqit në Apelin e Tiranës. Gjyqtari Astrit Kalaja, me një karrierë 32-vjeçare në sistemin e drejtësisë, ishte në krye të detyrës, duke shqyrtuar një çështje pronash, kur një nga personat palë në proces ka qëlluar me armë në drejtim të tij dhe dy personave të tjerë që ishin në gjyq. Fatkeqësisht, gjyqtari Kalaja nuk i ka mbijetuar dot plagëve dhe ka humbur jetën brenda në sallën e gjyqit.
Të plagosur kanë mbetur babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj. Njëri prej tyre, i është nënshtruar një operacioni, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes dhe arrestuan autorin e dyshuar Elvis Shkambi, 30 vjeç, duke i sekuestruar edhe armën e krimit
“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, informoi Policia e Tiranës.
Dinamika e ngjarjes
Gjyqi për çështjen e pronave nisi rreth orës 14:00 të mesditës së sotme, 6 tetor. Seanca në Apelin e Tiranës zgjati për rreth 1 orë e gjysmë, ndërsa në fund të saj gjyqtari shpalli vendimin. Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit, humbi gjyqin, pasi gjyqtari Kalaja vendosi në favor të palës tjetër. Autori i cili ka qenë me armë me vete në sallën e gjyqit, duket qartë se e kishte një plan të mirëmenduar, dhe sapo është shpallur vendimi ka qëlluar më armë në drejtim të tij dhe dy personave të tjerë.
Autori Elvis Shkambi ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa mbetet e paqartë se si i riu arriti që të futej brenda në sallën e gjyqit i armatosur, duke ngritur kështu alarmin për një dështim të masave të sigurisë në një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ruhet nga polici private dhe jo nga Policia e Shtetit. Burimet i thanë Report Tv dhe Shqiptarja.com se dyshohet se nuk kanë funksionuar detektorët metalikë, duke mos kapur armën, që tashmë është sekuestruar nga policia.
Motivi i ngjarjes
Familjarë të autorit Elvis Shkambi janë prej vitesh në proces gjyqësor për një pronë në Shkodër. Xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, pretendonte një truall në zonën e Shkodrës, sipas të cilit ia kishin uzurpuar.
Konflikti për pronën zvarritet gjyqeve prej disa vitesh tashmë, madje Gjon Shkambi e kishte denoncuar historinë edhe nëpër media. Sipas pretendimit të xhaxhait të tij vite më parë, Gjon Shkambit, ai thoshte se kishte fituar në Shkallën e Parë, ndërsa Apeli ia ka kthyer për rigjykim, pasi në dosje i mungonin dy proces-verbale dhe akti i ekspertimit. Ai pretendon se pala tjetër me dokumente të falsifikuara vazhdon të qëndrojë në ndërtesën e Gjonit.
revista.one/