“Unazë diamanti 140 mijë euroshe”, revista britanike shkruan për fejesën e Princ Lekës me Blerta Celibashin
October 16, 2025Adhuruesit e familjeve mbretërore u përballën me një lajm të gëzueshëm këtë javë, pasi Princi i Shqipërisë, Leka II, njoftoi fejesën e tij me të dashurën, Blerta Celibashi.
Pas publikimit të një videoje nga momenti romantik i propozimit dhe disa fotografive të reja të çiftit të lumtur, revista HELLO! ka ndalur vëmendjen te unaza mahnitëse e fejesës së nuses së ardhshme mbretërore.
E veshur me një fustan të gjatë saten në ngjyrë fildishi, ajo dukej rrezatuese ndërsa pozonte në një dhomë të mbushur me dritë dhe bimë dekorative.
Në fotografinë e fundit shihej duke admiruar unazën e saj të re me diamant, e cila, sipas ekspertëve, vlerësohet rreth 120 mijë funtesh apo 140 mijë eurosh.
Eksperti i bizhuterive dhe themeluesi i markës ‘Abelini’, Nilesh Rakholia, e përshkroi dizajnin e unazës si “mbretëror” dhe “elegant”.
Ai shpjegoi se unaza përbëhet nga një diamant oval ose me prerje, i vendosur mbi një rrip të hollë. “Është një dizajn i përjetshëm që duket si klasik dhe modern njëkohësisht. Diamanti i zgjatur tërheq vëmendjen, duke krijuar një formë të hijshme, ndërsa detajet shtojnë sasinë e duhur të shkëlqimit pa e mbingarkuar gurin qendror”, tha ai për HELLO!.

“Nëse guri qendror është rreth 2 deri në 3 karatë, me qartësi dhe ngjyrë të shkëlqyer, një unazë e tillë do të vlerësohej nga 80 mijë deri në 120 mijë funte”.
Ai përfundoi se unaza e Blertës reflekton një ndryshim të dukshëm në trendët e fejesave, ku më shumë të famshëm dhe personalitete mbretërore kërkojnë të gjejnë një ekuilibër midis traditës dhe personalizimit.
“Unaza e Blertës është pjesë e këtij evolucioni – romantike, e rafinuar dhe me domethënie. Një dizajn që nuk do të dalë kurrë nga moda”, përfundoi ai.

Çifti e bëri publike lidhjen e tyre në shtator të vitit 2024, tetë muaj pas ndarjes së princit nga Elia Zaharia.
revista.one/