Kthesë në hetimet për vrasjen e shqiptarit dhe pronarit grek, misteri 14 milionë euro
October 24, 2025Hetimet për vrasjen e pronarit grek të një kampingu dhe mikut të tij shqiptar në Finikundë po hyjnë në një fazë të re, ndërsa në paraburgim ndodhen dy të rinj 22-vjeçarë, të dyshuar si autorë të ngjarjes së rëndë.
Sipas mediave greke, autoritetet hetimore kanë marrë në dorë analizën e detajuar të komunikimeve telefonike të natës kur ndodhi krimi. Të dhënat pritet t’u japin hetuesve një pasqyrë të qartë mbi numrat që kanë qenë aktivë në zonë, si dhe mbi thirrjet dhe mesazhet e kryera përpara dhe pas momentit të vrasjeve.
Burime nga hetimet bëjnë me dije se antena e telefonisë celulare që mbulon zonën përreth kampingut është aktivizuar disa herë gjatë asaj nate, duke hapur pista të reja për hetuesit. Në rrëfimet e dy të rinjve të arrestuar janë konstatuar mospërputhje të dukshme, çka ka shtuar dyshimet se në ngjarje mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.

Foto nga videoja që ERT nxori në dritë tregon 22-vjeçarin duke endur jashtë stacionit të autobusëve me rroba dhe këpucë të thata pa asnjë sforcim fizik dhe duke pritur autobusin. Mënyra se si ecën ai nuk tregon një person që i është dashur të notojë distancën e madhe nga Finikounda në Kalamatë, siç pretendoi ai.
Burime policore kanë theksuar për mediat greke se hetimet po zhvillohen nën një nivel të lartë konfidencialiteti. Një korrespondencë e klasifikuar është dërguar nga një shërbim qendror në Athinë drejt Drejtorisë së Hetimit të Krimeve në Kalamata, me qëllim përshpejtimin e procedurave.
Sipas burimeve të njëjta, mozaiku hetimor po plotësohet gradualisht, dhe nuk përjashtohet që ditët e ardhshme të lëshohen urdhër-arreste të reja, si në rajonin e Mesinisë, ashtu edhe në zonën e Atikës.

Autoritetet greke po përqendrohen tani në analizën e komunikimeve, të dhënave gjeolokale dhe lidhjeve të mundshme mes të arrestuarve dhe personave të tjerë që mund të kenë luajtur rol në planifikimin ose ekzekutimin e vrasjeve.
Çfarë ndodhi më 4 tetor 2025 në Greqi
Vrasja e dyfishtë në kampingun “Ammos” në Finikundë. Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e së dielës 4 tetor, rreth orës 20:30, në kampingun “Ammos” në zonën e Finikundës, në rajonin e Mesenisë (Peloponez, Greqi), ku dy persona humbën jetën pas një sulmi me armë zjarri.
Sipas raportimeve të para nga mediat greke, një burrë 68-vjeçar Kosta Tomaras, pronari i kampingut dhe banor i zonës, u gjet i pajetë në recepsionin e biznesit të tij. Pak metra më tej u gjet i vrarë edhe Vasili, administratori (shqiptar) i kampingut, rreth 55 vjeç, mik i afërt i pronarit, i cili duket se ka tentuar të largohej, por është qëlluar për vdekje nga i njëjti person.
Sipas hetimeve paraprake, të dy burrat janë ekzekutuar me armë zjarri, dhe dyshohet se autori ka përdorur një karabinë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore nga Sektori i Sigurisë së Kalamatës, ndërsa është njoftuar edhe eksperti mjeko-ligjor. Policia po kërkon pamje nga kamerat e sigurisë për të ndihmuar në identifikimin e autorit.
Burime lokale raportojnë se rreth dhjetë ditë para ngjarjes, pronari i kampingut kishte qenë shënjestër e një sulmi dhe frikësimi nga persona të panjohur, por ai nuk kishte denoncuar ngjarjen pasi, sipas familjarëve, nuk donte ta vazhdonte çështjen. Pas krimit, autori është larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërsa policia greke ka nisur një operacion të gjerë kërkimi në gjithë zonën për kapjen e tij.
Kamping “Ammos” ndodhet pranë vijës bregdetare të Finikundës dhe, në momentin e krimit, ishte në funksion të plotë me shumë pushues.
Vrasja e dyfishtë në Finikundë: Telefonatat e dyshimta dhe dëshmitë që “djegën” të pandehurit. Telefonatat e dyshimta dhe pamjet nga autobusët
Sipas informacioneve të kanalit grek MEGA, personi që konsiderohet si autori kryesor i vrasjes ka dëshmuar se bashkëpunëtori i tij fliste pandërprerë në telefon gjatë udhëtimit drejt Finikundës, duke pretenduar se ishte në kontakt me të dashurën dhe një mik nga Athina.
Madje, pak para se të mbërrinin në zonën e kampingut, ata ndaluan makinën që ai të përgjigjej në disa telefonata këmbëngulëse, çka ka ngritur dyshime të reja për natyrën e vërtetë të këtyre komunikimeve. Pas ngjarjes, kamerat e sigurisë në stacionin e autobusëve të Kalamatës kanë regjistruar bashkëpunëtorin 22-vjeçar duke lëvizur me qetësi, teksa mbante në dorë një kafe dhe një sanduiç.

Punonjësja që e shërbeu e përshkroi si “sjellje të çuditshme”, duke vënë në dukje se ai pagoi me një kartëmonedhë 50-euroshe.
Pamjet tregojnë një person të pastër dhe të qetë, çka bie ndesh me pretendimin e tij se kishte ikur duke notuar deri në Kalamata, duke forcuar dyshimet se në fakt ai kishte përdorur një automjet për t’u larguar nga vendngjarja.

Dëshmitë që i fundosin të dyshuarit
Të dhëna të reja kanë dalë gjithashtu nga dëshmia e një biznesmeni që kishte punësuar dy të rinjtë 22-vjeçarë. Sipas tij, njëri punonte si shitës, ndërsa tjetri bënte punë të përditshme, dhe ata ishin njohur përmes nipit të viktimës.

Biznesmeni tregoi se bashkëpunëtori 22-vjeçar e admironte nipin e viktimës për jetën e tij luksoze dhe se në ditët kur ndodhën përpjekjet për vrasje, ai nuk kishte shkuar në punë.
Ai kujtoi se pas varrimit të 68-vjeçarit greko-britanik Kosta, nipi i viktimës dhe e dashura e tij kishin ardhur për darkë në shtëpinë e tij — atë mbrëmje, ata kishin takuar edhe 22-vjeçarin e dyshuar. Nga ana tjetër, e dashura e 33-vjeçarit, nipit të viktimës, ka konfirmuar se të gjithë ishin njohur përmes të njëjtit vend pune dhe se ishin takuar sërish pak para krimit.
Dialogët tronditës dhe misteri i 14 milionë eurove
Në dëshminë e tij, bashkëpunëtori i dyshuar ka folur për një përpjekje të mëparshme për ta shantazhuar 68-vjeçarin Kosta, ndërsa ka pretenduar gjithashtu se ai vetë ishte abuzuar seksualisht nga biznesmeni vite më parë.
Ndërkohë, bisedat e viktimës me një mik të tij tregojnë se ai kishte marrë kërcënime dhe ishte qëlluar me armë dy javë para vrasjes. 68-vjeçari thuhet se kishte ndërmend të shiste kampingun vetëm nëse gjente një blerës që do t’i ofronte mbi 14 milionë euro, një shumë që tregon interesin e madh ekonomik që kishte pas pronës.
Në një mesazh të fundit, ai kishte shkruar: “Kanë kaluar dy javë që më qëlluan në kokë. Po përpiqem të ruaj qetësinë dhe të kuptoj çfarë fshihet pas kësaj.” Kjo tregon se ai e ndiente veten të kërcënuar për jetën dhe se ishte në ankth për rrezikun që e rrethonte.
Prapaskenat e negociatave dhe hetimet e policisë greke
Nga dëshmitë e mbledhura, rezulton se biznesmeni kishte marrë oferta për blerjen e kampingut, por ato nuk kalonin shumën e 8 milionë eurove, të cilat ai i kishte refuzuar si të pamjaftueshme.
Ai u kishte thënë miqve se “nuk e shes për më pak se 14 milionë”, duke këmbëngulur në çmimin e tij. Policia greke (EL.AS) nuk përjashton motiv ekonomik pas krimit dhe po heton nëse të dyshuarit kishin lidhje me persona të tretë, të interesuar për të përfituar nga pasuria e 68-vjeçarit.
Ekspertët e laboratorëve kriminalistikë po analizojnë telefonatat e dyshimta dhe rrjetin e kontakteve të të akuzuarve, për të rindërtuar mozaikun e ngjarjes dhe për të zbuluar kush qëndron pas këtij krimi makabër.
***
Hetimet për vrasjen e dyfishtë në Finikundë zbulojnë një histori komplekse me intrigë, motive ekonomike dhe kontradikta në dëshmi. Telefonatat e dyshimta, pamjet nga kamerat, dhe dëshmitë e reja nga personat e afërt të viktimës po e afrojnë hetimin drejt zbardhjes së plotë të një rasti që ka tronditur opinionin publik në Greqi.

revista.one/


