Kombëtarja publikon listën: Kumbulla nuk ia del, rikthehen Ismajli dhe sulmuesi që po shkëlqen në Turqi
November 7, 2025Shqipëria është gati për dy duelet e fundit të fazës Kualifikuese të Botërorit 2026, kundër Andorrës më 13 nëntor në transfertë dhe kundër Anglisë më 16 nëntor në Tiranë, të cilat do të vendosin fatin e kuqezinjve për “play off”.
Trajneri Sylvinho ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar ku pikasin emra surprizë.
Në mbrojtje është rikthyer Ardian Ismajli, i cili nuk ishte i gatshëm për sfidat e tetorit për shkak të një dëmtimi, ndërsa një tjetër rikthim i bujshëm është ai i Indrit Tucit, i cili po shkëlqen në Turqi.
Një mungesë në mbrojtje është ajo e Marash Kumbullës, i cili edhe pse filloi stërvitjen me Mallorcën, duket se nuk ia ka dalë të jetë gati për këto dy takime.
Në konferencën përpara mediave, braziliani Sylvinho shpjegoi përzgjedhjet e tij dhe objektivat e Kombëtares.
“Sa më shumë të luajë Medon Berisha, aq më mirë për ne. Më pëlqen shumë si lojtar. E kemi marrë në Europian për të fituar eksperiencën dhe të ndihmojë Kombëtaren. Ka disa limite me ndryshimet gjatë ndeshjeve, madje edhe në miqësore. Është në një moment të mirë me klubin e tij. Gripshi më pëlqeu me Jordaninë. Është inteligjent dhe ka mundësi për të shënuar. Ai ka 15 ditë që është me pushime. Ne na duhen lojtarë që momentalisht po stërviten. Nuk kam kohë të mendojmë për grumbullimet e tjera, por vetëm për ndeshjet me Andorrën e Anglinë.
Rikthimi i Ismajlit, jam tepër i lumtur. Kishte një dëmtim, por tashmë e ka lënë pas. Sa i përket Tucit, është një lojtar që ka luajtur dy ndeshje në Nations League. Pati një transferim, por humbi kohë sepse ishte i dëmtuar. Është një lojtar që natyralisht është në rolin e trekuartistit, por transformohet në një sulmues qendre. Është një opsion ekstra sepse të jep mundësi të shënojë gol.
Kriteri ka qenë gjithmonë i tillë. Nuk grumbullojmë një lojtar që mund të luajë 10 ndeshje me Realin. Dua të bëj një paralelizëm me Rey Manajn. Ai humbi një penallti kundër Serbisë dhe të gjithë thanë që nuk duhej grumbulluar më. Pas 97 ditësh u kthye në hero. Ai është një lojtar shumë i mirë. Bajrami nuk luan por është golashënuesi më i mirë që kemi. Duhet të fusim lojtarë që e përfaqësojnë më së miri fanellën e Shqipërisë. Këta lojtarë na japin besim. Ky ka qenë kriteri. Kemi bërë disa ndryshime gjatë këtyre tre vite.
Ne na duhen lojtarë të cilët shënojnë gol dhe kanë kapacitet për të provuar në fazën ofensive. Broja për shembull që e ka bërë këtë. Asani gjithashtu. Muja ka më shumë karakteristika të një mesfushori. Ne na duhen lojtarë që shënojnë gol dhe ka karakteristika sulmuese. Broja dhe Uzuni i kanë këto karakteristika”, u shpreh Sylvinho.

Shqipëria mund të sigurojë fazën “play off” nëse do të arrijë të marrë tre pikë kundër Andorrës dhe po në të njëjtën ditë, Anglia të mundë Serbinë në “Wembley”.
Grumbullimi i Kombëtares nis të hënën, më 10 nëntor, në Barcelonë, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen ndaj Andorrës.
revista.one/


