Skenari i rrëmbimit të 27-vjeçarit në Tiranë, si u fut në kurth i riu nga “e dashura” dhe miqtë e saj
November 10, 2025Detaje të reja në lidhje me marrjen peng dhe dhunimin e 27-vjeçarit në Tiranë, ku 3 persona janë arrestuar dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, dy prej të cilëve janë vajza.
Në kërkim janë shpallur Klajdi Limani, Monika Marku dhe Suate Cenoaliaj. Kjo e fundit kishte pasur një lidhje dashurie me 27-vjeçarin dhe njëkohësisht edhe me një prej të arrestuarve, Lusjan Kimzën.
Ky i fundit ishte edhe ideatori i pengmarrjes së 27-vjeçarit. Pasi ka parë se e dashura e tij fliste me sms edhe me 27-vjeçarin, kanë rënë dakort që ti bënin atij presion dhe ti kërkonin para.
Pikërisht në këtë moment hyn në lojë edhe vajza tjetër, Monika Marku. Kjo e fundit ka biseduar me 27-vjeçarin dha kanë lënë vendtakimin për të pirë kafe. Të rinjtë e kishin menduar planin më së miri, pasi kishin marrë një apartament në AirBNB ku Monika Marku kishte shkuar më pas me 27-vjeçarin.
Pikërisht në këtë moment nga tualeti i apartamentit dalin djemtë e tjerë dhe pasi dhunojnë të riun i kërkojnë atij shumën prej 5 mijë eurosh. 27-vjeçari mbahet aty për disa orë dhe më pas largohet dhe merr shumën e lekëve në shtëpi dhe ua jep keqbërësve. Po ashtu ata i kërkojnë sërish shumën prej 5 mijë eurosh duke e shantazhuar dhe kërcënuar.
I ri për shkak të dëmtimeve që kishte marrë ishte paraqitur në spital për t’u mjekuar, ku mjekët njoftuan më pas policinë.
Agjentët bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes pas deklarimeve të tij, ndërsa dhënia e parave prej 5 mijë eurosh për herë të dytë u bë me anë të stimulimit për të identifikuar dhe arrestuar personat përgjegjës.
Njoftimi i plotë i policisë në lidhje me ngjarjen:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni i koduar “Kufizimi”.
I hoqën lirinë për disa orë, një 27-vjeçari, dhe e dhunuan fizikisht atë, në një apartament, që t’iu jepte 5000 euro, identifikohen 5 shtetas. Vihen në pranga 2 prej tyre, shpallen në kërkim 3 bashkëpunëtorët.
Vihet në pranga dhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi iu gjet në banesë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Sekuestrohen pistoleta, 5000 euro, 6 celularë dhe 1 automjet.
Menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i ishte hequr liria dhe ishte dhunuar, me qëllim dhënien e një shume parash, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit “Kufizimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar të rastit, u kapën dhe u vunë në pranga 2 prej tyre, shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 3 bashkëpunëtorët, shtetasit K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta 5 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit. Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i kanë hequr lirinë, për disa orë, 27-vjeçarit, dhe e kanë dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti. Pasi 27-vjeçari iu ka dhënë 5000 euro, ata e kanë kanosur sërish atë, që t’iu jepte një shumë tjetër parash.
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shtetasit A. K, 60 vjeç, (babai i shtetasit L. K.), ku u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte shtetasi L. K. u gjetën 5000 euro (dyshohet shuma e parave që i ishte marrë 27-vjeçarit).
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
revista.one/


