Humbi jetën pas 9 ditësh, familjarët e 15-vjeçarit: Gjatë operacionit në Durrës ikën dritat, e nisëm urgjent!
December 5, 2025Familjarët e 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili ndërroi jetë dje pas 9 ditësh në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, kanë denoncuar kushtet e papranueshme të trajtimit fillestar që ai mori në Spitalin e Durrësit.
Sipas tyre, përplasja e adoleshentit me një 14-vjeçar tjetër, e cila ndodhi më 25 nëntor pranë ambientit të jashtëm të shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, rezultoi fatale për jetën e tij dhe u përkeqësua nga mungesa e kushteve bazë në spital.
Pas plagosjes, Erjoni u nënshtrua operacionit në Durrës, por ndërprerja e energjisë gjatë ndërhyrjes ka bërë të domosdoshme transportimin urgjent të tij në QSUNT për trajtim të specializuar. Familjarët bëjnë me dije se ndërprerja e dritave dhe mungesa e infrastrukturës, përfshirë edhe ashensorin për emergjencat, kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së të miturit.
Familjarët theksojnë se, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, kushtet e spitalit në Durrës ishin të papërshtatshme dhe të pamjaftueshme për të trajtuar një rast emergjent kaq serioz.
“Në spitalin e Durrësit, turp i Zotit, iknin dritat, prandaj e çuan në Tiranë urgjent. Gjendja e djalit u përkeqësua, sepse e kemi mik shtëpie dhe jemi në dijeni të çdo gjëje.
Po. Kjo ka ndodhur vërtet. Si në mesjetë. Operim pa drita, por çdokush do të mbulojë diçka, që nga vrasësit, policia, spitali, media, të gjithë gënjejnë se nuk kanë qenë aty. Për 5 ditë, askush. Mjekët aty janë munduar, por kushtet janë fatale, as ashensor nuk kishte për emergjencat”, u shpreh halla e të ndjerit në një prononcim.
Nderkaq ka reaguar spitali i Durresit:
DEKLARATË PËR SHTYP
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:
Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.
Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.
Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.
revista.one/


