Shkodër/ Vranë 20-vjeçarin Pavlin Preka, arrestohen dy autorët
December 21, 2025Shkodër – Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 27 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re, ku humbi jetën një 20-vjeçar. Pas një hetimi disa mujor, janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e krimit”, janë vënë në pranga shtetasit Klaudio Lisaj, 20 vjeç, banues në fshatin Mgull dhe Vasel Koçeku, 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve dhe municionit”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”. Si rezultat i punës policore dhe hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, zbardhet vrasja e shtetasit Pavlin Preka, e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re.
Kapen dhe vihen në pranga dy shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e krimit”, vihen në pranga shtetasit Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP-së Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re, u finalizua operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
K. L., 20 vjeç, banues në fshatin Mgull;
V. K., 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
revista.one/


