Arrestohet Gjesti, policia zbardh detajet e ngjarjes

Arrestohet Gjesti, policia zbardh detajet e ngjarjes

March 11, 2026 0

Reperi i njohur nga Peja, Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti, është arrestuar të mërkurën në Prishtinë.

Fituesi i edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania është shoqëruar në polici nën dyshimet për posedim të armës pa leje.

Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht Zyra për Informim e këtij institucioni.

“Sot, rreth orës 15:00, në rrugën Mehmet Isahi në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje. I dyshuari është intervistuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se me urdhër të Prokurorit Kujdestar është ndaluar për 48 orë këngëtari i njohur si Gjesti, emri i vërtetë i të cilit është Besart Kelmendi.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi është bërë për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer disa vepra penale, përfshirë mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, sipas nenit 366 të Kodi Penal i Kosovës, si dhe veprat penale kanosje (neni 181) dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë (neni 321).

Prokuroria ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rastit.

revista.one/