Gonxhja: Tirana kozmopolitane në frymën e “Muse-X”, platformë për inovacion dhe industri kreative

Gonxhja: Tirana kozmopolitane në frymën e “Muse-X”, platformë për inovacion dhe industri kreative

April 17, 2026 0

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi Tiranën si një qytet kozmopolit në frymën e “Muse-X”, një platformë që mishëron dialogun ndërkombëtar, inovacionin dhe zhvillimin e industrive kreative në zemër të kryeqytetit.

Sipas tij, e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, kjo nismë pasqyron një angazhim të qëndrueshëm institucional për promovimin dhe ndërkombëtarizimin e kulturës shqiptare. “Muse-X” sjell në Tiranë artistë, profesionistë dhe partnerë nga vende të ndryshme, duke krijuar një hapësirë ku idetë, eksperiencat dhe bashkëpunimet marrin formë konkrete.

Gonxhja theksoi se përmes këtij eventi, Shqipëria po afirmohet gjithnjë e më shumë si një aktor serioz në skenën globale të ekosistemeve kreative dhe si një destinacion i besueshëm për zhvillimin e projekteve kulturore dhe artistike, me ndikim ekonomik dhe social. Ai shtoi se “Muse-X” përfaqëson një model të ri bashkëpunimi kulturor, ku arti shndërrohet në motor zhvillimi dhe lidhjeje ndërkombëtare.
Për të dytin vit radhazi, Tirana u kthye në epiqendrën e artit dhe kreativitetit me zhvillimin e Muse-X, një event ndërkombëtar që bashkoi qindra artistë vendas dhe të huaj. Me pjesëmarrje të gjerë dhe energji unike krijuese, aktiviteti konfirmoi rolin e tij si një platformë e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe bashkëpunimit artistik.
Ne ceremonine e hapjes, themeluesi dhe organizatori i eventit, Luel Muhametaj, e përshkroi “Muse-X” si një platformë unike që bashkon artin, industrinë dhe edukimin në një hapësirë të përbashkët krijuese dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Ai theksoi simbolikën e zhvillimit të aktivitetit në Piramida e Tiranës, duke e cilësuar këtë hapësirë si një transformim të rëndësishëm nga e kaluara drejt një qendre moderne për kreativitet, dialog dhe ide të reja. Sipas tij, kjo pasqyron vetë frymën e Muse-X, e cila synon të kthejë idetë në procese dinamike dhe të orientuara drejt së ardhmes. Muhametaj u shpreh se Muse-X funksionon si një “motor krijues”, ku muzika, filmi dhe edukimi ndërthuren në një sistem të vetëm bashkëpunues. Ai theksoi se eventi i këtij viti është më ambicioz se më parë, duke mbledhur qindra profesionistë dhe kompani nga mbi 24 vende të botës, si dhe duke ofruar një program të pasur me panele diskutimi, workshope, premiera filmash dhe performanca artistike të kuruara. Në përmbyllje të fjalës së tij, ai falënderoi partnerët, institucionet dhe ekipin organizator për realizimin e eventit, duke e konsideruar “Muse-X” si një platformë që synon të bëhet një pikë referimi për skenën kulturore dhe kreative.

revista.one/