Artistët shqiptarë që bashkëpunuan me kompozitorin e filmit “The Odyssey”

Artistët shqiptarë që bashkëpunuan me kompozitorin e filmit “The Odyssey”

July 20, 2026 0

Ervis Rapaj dhe Grupi Argjiro kanë bërë të ditur se kanë qenë pjesë e realizimit të filmit “The Odyssey”, me regji nga Christopher Nolan, përmes muzikës dhe traditës së polifonisë shqiptare.

Rapaj ka ndarë emocionet e tij pas këtij bashkëpunimi, duke treguar se pati mundësinë të interpretojë kabanë shqiptare dhe të punojë pranë kompozitorit Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, i cili udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt autentikë të iso-polifonisë dhe instrumenteve tradicionale shqiptare.

“Ndihem vërtet i privilegjuar dhe mirënjohës që pata mundësinë të jem pjesë e realizimit të filmit ‘The Odyssey’, me regji nga Christopher Nolan.
Isha i nderuar të interpretoja kabanë shqiptare dhe të punoja pranë kompozitorit të jashtëzakonshëm Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, i cili udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt autentikë të iso-polifonisë dhe instrumenteve tona tradicionale, duke i bërë ato pjesë të një produksioni të madh botëror”, shkroi Ervis Rapaj.

Ai gjithashtu falënderoi kompozitorin për besimin dhe mundësinë për të qenë pjesë e këtij projekti, duke u shprehur: “Krenar dhe shpresoj që një copëz e shpirtit të muzikës shqiptare të dëgjohet në mbarë botën”.

Edhe Roland Çenko, së bashku me Grupin Argjiro, ka ndarë emocionet për përfshirjen në këtë projekt ndërkombëtar.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe krenar që pata nderin, së bashku me Grupin Argjiro, të jem pjesë e filmit ‘The Odyssey’, me regji të Christopher Nolan, përmes polifonisë shqiptare, artit të cilit i kam kushtuar gjithë jetën time”, shkroi Çenko.

Ai theksoi se për të dhe për Grupin Argjiro ishte një privilegj i madh të përcillnin zërin e polifonisë shqiptare në një produksion me përmasa botërore.

“Për mua dhe për Grupin Argjiro, të cilin kam nderin ta drejtoj, ishte një privilegj i madh të përcillnim zërin e polifonisë shqiptare në një produksion me përmasa botërore. Ishte një përvojë e veçantë bashkëpunimi me kompozitorin e madh Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, i cili erdhi në jug të Shqipërisë për të njohur dhe regjistruar tingujt autentikë të iso-polifonisë dhe instrumenteve tona tradicionale”, u shpreh ai.

Grupi Argjiro, i përbërë nga Roland Çenko, Kastriot Çenko, Alvaro Çenko, Llambro Ballo dhe Juli Zholi, ka përcjellë kështu një pjesë të traditës muzikore shqiptare në një projekt të rëndësishëm kinematografik ndërkombëtar. “The Odyssey” është filmi i ri i Christopher Nolan, ku tingujt autentikë të muzikës tradicionale shqiptare do të jenë pjesë e realizimit artistik. 

https://www.facebook.com/ervis.rapaj/posts/37481118354812449?ref=embed_post

Edhe mjeshtri i fyellit, Vendim Kapaj, ka bërë të ditur se tingujt e interpretimeve të tij me fyell dhe culë dyjare janë pjesë e filmit “Odyssey”, me regji nga Christopher Nolan dhe muzikë nga kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson.

Kapaj ka ndarë emocionet e tij për këtë përvojë të veçantë, duke treguar se më 1 korrik 2025 ka punuar për disa orë me ekipin e regjistrimit të Göransson, duke sjellë tinguj të instrumenteve tradicionale shqiptare dhe të këngës labe.

Jam shumë i lumturuar që nëpërmjet tingujve të melodive të mia me fyell dhe culë dyjare, bëhem pjes e filmit “ODYSSEY”.
Për mua do të mbetet në memorje data 1 korrik 2025, nga ku së bashku me kompozitorin Ludwing Gorannson dhe me ekipin e tij të regjistrimit, për 5 orë punë intesive, hodhëm pjesë të ndryshme me istrumentet popullore, punë e lodhshme por shumë e bukur.
Faleminderit z. Kompozitor Ludwing Gorannson, që nëpërmjet punës tuaj të pa lodhur, e ndiej veten të priviligjuar, që muzika ime me istrumentat popullor, si dhe tingujt e mrekullushëm të këngës labe, i bëtë bashkë me artistat e mëdhenjë Hollivudian”, shkroi Vendim Kapaj në postimin e tij.

Pas këtij publikimi, në komentet e postimit të tij pati edhe diskutime rreth tingujve dhe instrumenteve që do të përdoren në filmin “Odyssey”.

Disa komentues ngritën pretendimin se nga materialet zyrtare të publikuara deri tani nuk rezulton që këto instrumente të jenë përdorur në pjesën “Sirens”, duke argumentuar se instrumenti i dëgjuar aty ishte aulos, një instrument i lashtë grek i interpretuar nga Callum Armstrong.

Ndaj këtij reagimi, Vendim Kapaj u përgjigj duke mbrojtur interpretimin e tij dhe duke sqaruar se tingulli i dëgjuar ishte i fyellit dhe jo i aulosit. Ai theksoi gjithashtu se në atë pjesë kishte interpretuar “vajë labërie”.

Pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në këtë projekt ka hapur diskutime rreth përfshirjes së elementeve të muzikës tradicionale shqiptare në një produksion ndërkombëtar të përmasave të mëdha, duke vënë në vëmendje tingujt e instrumenteve dhe trashëgiminë muzikore të jugut të Shqipërisë

revista.one/