Burri dhe gruaja nga Tirana rrëmbehen në Peqin, pengmarrësit donin 20 mijë euro
May 23, 2021Një burrë dhe një grua nga Tirana u rrëmbyen dhe u mbajtën peng, dje në qytetin e Peqinit.
Ata u bënë pre e shantazhe dhe kërcënimeve duke iu kërkuar dhjetëra milionë lekë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje pasdite në hyrje të qytetit të Peqinit.
Seit Manahasa 38 vjeç i arrestuar dje pasdite, është një prej të dyshuarve kryesorë të rrëmbimit dhe pengmarrjes në bashkëpunim që terrorizoi burrin dhe gruan nga Tirana.
Sipas policisë lokale, shtetasi G. M. dhe shtetasja F. D., ishin nga Tirana dhe që të dy kishin shkuar për punë në fabrikën e inerteve që ndodhet në hyrje të Peqinit.
G.M. dhe F.D., janë punëtorë të një firme që merren me çertifikimin e produkteve. Dje ata kanë shkuar tek subjekti (poligon inertesh) për çertifikim, dhe në atë moment jane marrë peng nga Manahasajt.
Shtetasi G. M. dhe shtetasja F. D. arritën të sinjalizojnë policinë duke u treguar se në hyrje të qytetit të Peqinit, pranë një poligoni inertesh, ishin kapur dhe mbajtur peng nga dy shtetas. Këta i kishin kërcënuar dhe keqtrajtuar ata për disa orë.
Policia tha se finalizoi operacionin policor të koduar “Poligoni”, organizuar nga Drejtoria Vendore e Elbasan dhe forcat e RENEA-s.
Megjithatë vetëm një nga të dyshuarit që i hoqën lirinë dy shtetasve, është arritur të kapet. Tjetri i shpëtoi ndjekjes policore dhe është shpallur në kërkim.
Seit Manahasa, 38 vjeç, banues në Peqin është personi në pranga. Ndërkohë u shpall në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e kushëririt të tij, K. M., 37 vjeç, banues në Peqin.
“Arrestimi i shtetasit S. M. dhe shpallja në kërkim e bashkautorit tjetër, shtetasit K. M., u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin iu kanë hequr lirinë për disa orë shtetasit G. M. dhe shtetases F. D. Nëpërmjet dhunës iu kanë kanë marrë 12.000 lekë. Njëkohësisht i kanë kërcënuar dhe shantazhuar me qëllim për t’iu dhënë një shumë prej 20.000 eurosh ose mbi 2.5 milionë lekë të reja”, sqaroi policia.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan. Ata akuzohen për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënje pasurie”, “Vjedhja me dhunë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim.
revista.one/