Oferta e PS/ Elisa Spiropali: I japim opozitës Presidentin në këmbim të…
June 2, 2021Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka ftuar opozitën për bashkëpunim, duke u shprehur se PS është e gatshme t’u japë edhe Presidentin.
Sipas saj, mazhoranca nuk ka asnjë problem që emri i Presidentit të propozohet nga opozita, teksa “thumboi” edhe zgjedhjet në PD, për të cilat u shpreh se po bëhen me stilin e vjetër dhe fituesi dihet se kush do të jetë.
“Ne e ftojmë lidershipin e tanishëm apo të ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet, por nuk besoj se do të ketë surpriza sepse zgjedhjet në PD po bëhen me stilin e vjetër që të pranojnë rezultatin, të ulen me ne në tryezë, të diskutojmë mbi rolet që duhet të kemi ne si mazhorancë, ata si opozitë përsa i përket procesit të integrimit dhe konsensusit politik që na duhet sot. Ta ndalim baltën ndaj Shqipërisë dhe këtë luftë të pakuptimtë që ndikon në proceset tona të jashtme dhe të integrimit.
Ofrojmë që të kemi diskutim edhe për çështjen e Presidentit dhe për emrat. Ne kërkojmë të ngremë nivelin e debatit në Shqipëri. Mjaft është mjaft! Deri më sot, të gjithë partnerët tanë i kanë njohur zgjedhjet si normale, por ndoshta edhe si zgjedhjet më të mira deri sot. Kanë bërë një zgjedhje të bukur, edhe ne edhe ata, nuk e mohoj.
Nuk kemi asnjë tabu, mund të zgjedhin ata një emër ose ne. Jemi të hapur për diskutim. Nuk kemi asnjë problem me emrin që mund të propozojnë ata. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë për çdo ofertë”, tha Spiropali në “Top Talk.