“Never say never”, Sali Berisha: Nuk përjashtoj rikthimin në krye të PD
June 11, 2021Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë mbrëmjen e djeshme, 8 vite pasi dha dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike dhe kur deklaroi se nuk do të merrte më detyra drejtuese, ka bërë një kthesë 180 gradë për shkak të vendimit të Sekretarit Amerikan të Shtetit që e shpalli “non grata” atë dhe familjen e tij.
I pyetur nëse “Sali Berisha kurrë më nuk kthehet në pozicione drejtuese…” ai iu përgjigj shkurt: “Kurrë mos thuaj kurrë! Never say never. E kam përdorur me Ramiz Alinë këtë shprehje dhe e përdor prapë. Unë po ecja në një drejtim, por kam ndërruar rrugë dhe po i heq të gjitha pengesat e mia,” tha Berisha.
I pyetur se me këtë deklaratë nuk e përjashtonte as rikthimin në krye të PD-së, Berisha u përgjigj: “Nuk përjashtoj asnjë të drejtë time kushtetuese më”.
Kjo deklaratë e bërë në Syri.tv vjen vetëm 3 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve për kryetarin e kësaj force politike ku garon për një mandat të tretë Lulzim Basha dhe përballë tij janë Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edith Harxhi.
revista.one/