Grupi “Burn” bashkohet pas 9 vjetësh tek vila e Enver Hoxhës, koncert “Rock the dictator”
June 15, 2021Këngëtari Renis Gjoka ka vendosur që ta realizojë koncertin “Rock the dictator” brenda ambienteve të viles së ish diktatorit Enver Hoxhës dhe kjo aspak rastësisht.
I ftuar mbrëmjen e kësaj të shtune në emisionin Soiree me Jonida Shehun në ABC dhe T7, Renisi ka sqaruar se pse ka vendosur pikërisht në atë ambient për të mbajtur koncertin e tij.
Këngëtari tregoi se dëshiron të performojë zhanrin e ndaluar nga ai sistem, pikërisht nën çatinë e diktatorit, ku merreshin vendimet çnjerëzore kundrejt popullit dhe në vecanti, kundrejt artistëve qe guxonin të thithnin ajër perëndimor.
“Ky ka qenë një projekt që e kam patur prej kohësh në mendje. Fillova ta mendoja seriozisht në fillim të dhjetorit dhe për këtë publikisht gjej rastin që të falenderoj Eugent Bushpepën dhe Eg Laknorin. Ne të tre kemi qenë në një tavolinë bashkë dhe Gentin e falenderoj që më dha shtysën.
Genti në atë kohë po bënte koncertin e tij. Është xhiruar në vilën e Enver Hoxhës, titullohet “Rock the dictator”. Ka një simbolikë patjetër. Pikërisht në ambjentet ku diktatori merrte vendime kundër lirisë së fjalës, kundër muzikës perëndimore, kundër rock-ut në veçanti.
Pikërisht në këto ambjente, në këto mure, nën këtë çati, ne vijmë të gjithë së bashku dhe bëjmë sa më shumë zhurmë në rrymën rock dhe bëjmë në një farë mënyre protestë dhe çlirojmë vilën më në fund”, ka treguar Renis Gjoka.
Për të folur pikërisht për koncertin ishte i ftuar edhe profesori i njohur Edmond Tupe, i cili më herët ka pasur bashkëpunime të suksesshme për Renisin dhe do të jetë pjesë e “Rock the dictator”.
I pyetur nga moderatorja Jonida Shehu se sipas mendimit të tij çfarë do të mendonte diktatori nëse do shihte çfarë po ndodh në shtëpinë e tij dhe me rock-un, Edmond Tupe u përgjigj: “Do vdiste për herë të dytë”.
Bashkëpunëtorë dhe miq të artistit, do të mblidhen sëbashku për të qenë pjesë e eventit. Emra te rëndësishëm si Josif Gjipali, Robert Aliaj, Edmond Tupja, Eugent Bushpepa, Endri dhe Stefi Prifti, Big Basta, Vin Veli, Aleksander Gjoka etj, do të ngjiten në skenë për të interpretuar sëbashku me artistin.
Një detaj tjetër shumë interesant nga koncerti i Renisit është që ai bashkohet me Grupin “Burn” pas 9 vitesh për të performuar sërish të gjithë bashkë.
Ky Movie Concert do të transmetohet në ABC më datë 18 qershor, si dhe në platformat e rrjeteve sociale.