Bebe Rexha: Shpresoj pas disa vitesh të marrë një master në psikologji!

Bebe Rexha: Shpresoj pas disa vitesh të marrë një master në psikologji!

June 23, 2021 0

Në një intervistë të fundit për Bustle, 31-vjeçarja është përgjigjur në një pyetje shumë interesante që i është bërë.

Ajo është pyetur se ku e sheh veten pas 16 vitesh, teksa ka befasuar me përgjigjen duke cekur se shpreson ta shohë veten me një master në psikologji.

“Gjashtëmbëdhjetë vjet nga tani? Uau. Epo, unë padyshim që dua të marr masterin tim në psikologji. Do të më pëlqente të ndihmoja artistë të tjerë në biznesin e muzikës dhe njerëz në përgjithësi si terapiste. Sepse kam kaluar shumë duke qenë në vëmendjen e publikut dhe duke qenë në industri. Unë do të doja të ndihmoja artistë, aktore ose aktorë ose njerëz të rinj që vijnë, që mund të kenë nevojë për të”, ka thënë Bebe Rexha për Bustle.

Dashuria e artistes shqiptare për psikologjinë vjen nga fakti se ajo ka ngritur shumë çështje të shëndetit mendor në këngët e saj.

Kënga “I’m a mess” e cila ishte një hit absolut në ShBA dhe mbarë botën, flet për pasiguritë e këngëtares tek vetja pas një ndarje të dhimbshme, teksa gati thuajse të gjitha këngët e albumit të saj të ri “Better Mistakes”, trajtojnë tematika të tilla.

Ajo e ka quajtur albumin “Better Mistakes” si një vazhdimësi të “I’m a mess”, pasi në të kishte futur këngë me tematikë çështjet e shëndetit mendor. Shqiptarja 31-vjeçare edhe vet e ka pohuar se ka pasur në të kaluarën dhe vazhdon akoma të ketë probleme me shëndet mendor – duke pranuar hapur se vuan nga çrregullimi bipolar.

revista.one/